Obama në Alaskë, apel për ndryshimet klimaterike

01/09/2015 00:00

Presidenti amerikan Barack Obama i kërkoi liderëve botërorë të bien dakord për të reduktuar emetimet e karbonit në bisedimet që pritet të mbahen në Paris, më vonë gjatë këtij viti.

Duke folur në Alaska, Obama tha se vendet, përfshirë dhe Shtetet e Bashkuara, nuk po bëjnë aq sa duhet për të ndaluar ngrohjen globale. Fuqitë botërore do të takohen në Paris në dhjetor, me qëllim që të arrihet një marrëveshje për të ndalur rritjen globale të temperaturave. Obama tha ndërkohë në Alaskë se kjo është koha për të mbrojtur të vetmin planet që kemi, pasi ende mundemi ta bëjmë këtë.

“Kjo është një çështje madhore dhe nuk duhet të lejojmë që të bëhet shumë vonë”, tha Obama në një takim me ministrat e Jashtëm të vendeve që kanë interesa në Arktik, menjëherë pas mbërritjes në Alaskë.

Ndërsa takimi në Paris do të tentojë të arrijë një marrëveshje për të kufizuar rritjen e temperaturave globale në 2 gradë celcius, ka pasur paralajmërime se ky qëllim është i vështirë të arrihet. Presidenti Obama e ka bërë luftën kundër ndryshimeve klimaterike një nga shtyllat e mandatit të tij të dytë. Muajin e kaluar ai foli për planet për reduktimin e emetimeve të gazrave që shkaktojnë efektin serrë në SHBA me një të tretën gjatë 15 viteve të ardhshme.

Disa guvernatorë shtetesh kanë thënë se do ta injorojnë planin, ndërsa një pjesë e industrisë energjitike tha se do të luftojë për realizimin e tij.

Gjatë vizitës 3-ditore në Alaskë, Obama do të bëhet i pari president në detyrë i Shteteve të Bashkuara që viziton zonën nën qarkun Arktik. Ai do të ngjitet edhe në akullnajën Exit, që ka pësuar shkrirje domethënëse në vitet e fundit dhe do të jetë protagonist i Running Wild me Bear Grylls, një “reality show” që transmetohet nga NBC.

Një Obamë siç nuk është parë asnjëherë, i vënë përballë një sprove në situatë ekstreme, në tokat e egra të Alaskës. Do të jetë në fakt i pari komandant i forcave të armatosura në detyrë që do të marrë pjesë në një “reality show”. Sipas formatit të spektaklit, në të cilin njerëz të famshëm ftohen të kalojnë dy ditë në natyrë të egër, presidenti do të vërë në provë aftësitë e tij fizike në kushte ekstreme.

Sidoqoftë, spektatorët do të duhet të presin disa muaj para se të shohin presidentin në versionin “i mbijetuar”, pasi episodi do të transmetohet në fund të vitit. Running Wild ëhstë në sezonin e tij të dytë dhe mes vipave që kanë marrë pjesë janë Kate Winslet, Kate Hudson, Zac Efron. Spektakli është i famshëm për situatat ekstreme në të cilat vendosen protagonistët. Kate Hudson është detyruar të hajë krimba. Vetë Grylls, është një ish-anëtar i forcave speciale britanike.

Top Channel