PD: Emërime nepotike në shëndetësi

01/09/2015 00:00

Partia Demokratike ka vijuar me denoncimin e atyre që i quan skandale në sistemin e shëndetësisë, i cili sipas opozitës sot qeveriset nga klientela dhe interesat financiare.

“Edi Rama po ulëret për informalitetin, por shihni çfarë ndodh me ilaçet. Drejtoresha e Drejtorisë Farmaceutike në Ministrinë e Shëndetësisë, ajo që duhet të kontrollojë cilësinë e ilaçeve, ka ngelur në provimin e shtetit. Madje ka ngelur dy herë me radhë. Pra, ajo nuk mund të ushtrojë dot profesionin e farmacistes, por ama është bërë kryefarmacistja e vendit, falë lidhjeve politike e financiare. Ky është një informalitet skandaloz që ndikon drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve”, deklaroi deputetja e PD-së, Albana Vokshi.

Por jo vetëm kaq, sipas demokratëve, sistemi shëndetësor është i kapur edhe në hallka të tjera.

“Ish-drejtori i Qendres së Kontrollit të Barnave, i kapur nga KLSH për abuzime, i akuzuar për shpërdorim detyre e falsifikim dokumentash, është promovuar me Edi Ramën dhe është bërë Drejtor i Rimbursimit në Fondin e Detyrueshëm të Kujdesit  Shëndetësor, pikërisht aty ku plasi skandali me faturat dhe recetat fiktive e me fitimet marramendëse me skemën kriminale që ishte ngritur”, deklaroi Vokshi.
Opozita thotë se korrupsioni dhe kapja e shëndetësisë po bëjnë biznes me jetën e qytetarëve.

“Edi Rama ulëret për informalitetin, por shihni çfarë ndodh në Agjencinë e Kontrollit të Barnave dhe Paisjeve Mjekësore. Gjatë muajve korrik-gusht janë emëruar nga ministri Beqja, 13 punonjës, vetëm 3 prej tyre kanë arsimin e kërkuar me ligj, 9 të tjerët vijnë nga lidhje informale, politike, nepotike e korruptive”, shtoi Vokshi.

Top Channel