Spanjë, zjarri në fabrikën e fishekzjarreve shkakton 5 viktima

01/09/2015 00:00

Një shpërthim i madh në një fabrikë fishekzjarresh në Spanjën verilindore i ka marrë jetën pesë personave dhe ka plagosur gjashtë të tjerë. Një person raportohet ndërkohë i zhdukur.

Shpërthimi ndodhi në kompaninë Pirotecnia Zaragozana në zonën e Saragosës. Nga të plagosurit, sipas policisë, tre janë në gjendje kritike.

Nuk është bërë ende e ditur se çfarë e ka shkaktuar shpërthimin, ndërkohë që zjarre të vogla kanë pasuar duke penguar hetimin. Ka pasur shpërthime në të njëjtën kompani edhe në dy raste të tjera të mëparshme me disa viktima të raportuara.

E përditshmja spanjolle “El Pais” thotë se aksidentet në fabrikat e prodhimit të fishekzjarreve në vend, gjatë 25 viteve të fundit, kanë marrë më shumë se 110 jetë njerëzish.

Top Channel