Kreditimi i biznesit në ngërç, rritje e papërfillshme për korrikun

01/09/2015 00:00

Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se kredia për ekonominë vazhdon të mbetet në stanjacion duke shënuar norma të papërfillshme rritjeje.

Sipas shifrave më të fundit, në korrik stoku total i kredive që bankat kanë dhënë për biznesin dhe individët arriti në 551.5 miliardë lekë ose vetëm 0.17 përqind më shumë se një vit më parë.  Në vlerë kjo është një nga normat më të ulta të shënuara gjatë viteve të fundit.

Por ekspertët e bankës thonë se rritja reale e kreditimit është më e madhe nga ajo që sugjeron shifra totale, pasi sipas tyre treguesi i kredisë këtë vit është ndikuar nga fshirja e kredive të këqija. Sipas të dhënave zyrtare, në gjashtë muajt e parë të vitit bankat fshinë rreth 11 miliardë kredi me probleme, të cilat përkthehen automatikisht në ulje të kredisë për ekonominë po në të njëtën vlerë.

Megjithatë, përtej efektit që vjen nga nxjerrja e kredive të këqija jashtë bilancit, kredia për ekonominë vazhdon të mbetet e ndrydhur dhe përmirësimi i treguesit të besimit tek bizneset nuk është përkthyer në më shumë kërkesë për financim.

Kredia për ekonominë u ngadalësua fort veçanërisht pas vitit 2012 , ku nga normat dyshifrore të rritjes ra gati në stanjacion. Si rrjedhojë rritja ekonomike u ndrydh gati në zero dhe ka vazhduar të mbetet anemike.

Ekspertët thonë se  rigjallërimi i kredisë do të jetë përcaktues për ringritjen e ekonomisë, por deri më tani normat e rritjes së saj kanë qenë të papërfillshme duke reflektuar njëkohësisht hezitimin e bankave, por edhe kërkesën e ulët nga biznesi dhe individët.

Top Channel