Trafikuesit, përfituesit më të mëdhenj të emigrantëve në Hungari

01/09/2015 00:00

Aktivistët pro emigrantëve në Hungari thonë se qëndrimi i ashpër i qeverisë ndaj këtyre të fundit po i kushton shumë vendit. Ata i kanë kërkuar autoriteteve të lejojnë që njerëzit të udhëtojnë drejt vendeve në të cilat duan të shkojnë, duke thënë se refuzimi thjeshtë po luan në favor dhe po i çon paratë në xhepat e trafikantëve njerëzorë.

“Gjatë një periudhe 10-ditore, shteti hungarez çon aq para në xhepat e ekonomisë së errët sa ka shpenzuar për refugjatët, të gjithë së bashku, vitin e kaluar. Unë nuk e di se në interes të kujt është kjo, por do të ishte mirë të ndalohej”, thotë Suzana Sohar nga Migration Aid.

Sipas një vlerësimi, kostoja e akomodimit dhe procesimit të refugjatëve, plus shpenzimet masive për sigurinë, shkojnë në 270 milionë euro. Ndërkohë, që të vetmit që fitojnë para’, madje shumë më tepër nga udhëtarët e dëshpëruar, janë trafikantët e njerëzve. Por, qeveria hungareze këmbëngul se nuk mund t’i lejojë njerëzit të kalojnë. 

“Kjo nuk është zgjedhja jonë, por përgjegjësia e çdo shteti evropian, veçanërisht atyre që mbrojnë kufijtë e Shengenit. Hungaria po fajësohet për diçka që nuk është e rëndësishme vetëm për të ruajtur kufijtë e saj, por edhe kufijtë e Bashkimit Evropian”, tha zëdhënësi i qeverisë hungareze Zoltan Kovaks.

Qeveria insiston se ajo dhe jo Bashkimi Evropian mbulon koston e krizës së emigrantëve dhe refugjatëve. Procesi i trajtimit të aplikimeve për azil, sipas qeverisë, kërkon kohë dhe deri sa të përfundojë, njerëzit nuk mund të dalin nga vendi në mënyrë të ligjshme. Pjesa dërrmuese e personave që kanë hyrë në Hungari synojnë sidoqoftë të arrijnë destinacione të tjera evropiane.

Top Channel