Kosovë, nis viti i ri shkollor. Bajrami dhe Nagavci vizitojnë shkollën “Faik Konica”

01/09/2015 00:00

Mbi 400 mijë nxënës dhe rreth 30 mijë mësimdhënës filluan vitin e ri shkollor në Kosovë.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami vizitoi shkollën fillore “Faik Konica” në Prishtinë, ku shpërndau abetare për nxënësit e klasave të para.

I shoqëruar nga drejtoresha për Arsim në Komunën e Prishtinës, Arbërie Nagavci, ministri u zotua për ngritje të cilësisë, siç tha ai, duke lënë anash politikën kur janë në pyetje fëmijët.

“Po fillojmë një vit të ri shkollor me zotimin se ky vit do të shënojë një kthesë në përmirësimin e cilësisë. Jemi të koordinuar dhe ju po shihni, unë jam bashkë me drejtoreshën e Arsimit të Komunës së Prishtinës, kemi një bashkëpunim të shkëlqyeshëm dhe ky bashkëpunim tregon që në arsim duhet të jetë një qasje e kulturuar, e liruar nga politika sepse ne kemi për detyrë të punojmë për fëmijët tanë, të ofrojmë një arsim cilësor”, deklaroi Arsim Bajrami, ministër i Arsimit.

Drejtoresha për Arsim në Komunën e Prishtinës, Arbërie Nagavci tha se kjo komunë po fillon me zbatimin e tri projekteve të reja në arsim, përfshirë edhe “regjistrat dixhital të notave”.

“Ne po fillojmë me tri projekte të reja, me programin mësimor ditor (që shoqërohet edhe me aktivitete jashtë orarit) dhe shkolla ‘Faik Konica’ është një nga këto tri shkolla, pastaj me regjistrin dixhital të notave dhe programin “Sokrates” (që krijon një bazë të të dhënave për nxënësit) për çka besoj se do ta kemi edhe përkrahjen e Ministrisë së Arsimit dhe bashkëpunimin edhe me fakultete dhe projekteve të tjera të ngjashme”, deklaroi Nagavci.

Duke uruar nxënësit dhe mësimdhënësit, ministri Bajrami u shpreh i kënaqur me shkallën e natalitetit në vend, pasi siç tha ai edhe këtë vit, klasat e para janë të mbushura me nxënës.

Top Channel