Dita e të Zhdukurve, monument përkujtimor në kampin famëkeq të Tepelenës

01/09/2015 00:00

Në kampin e ish të përndjekurve politikë në Tepelenë u zhdukën 300 fëmijë.

Ishin vitet 1949 deri në vitin 1954, ku partia-shtet detyroi më shumë se 3 mijë familje të jetonin këtë kamp, ku masakrat ndaj njeriut nuk njihnin kufi.

“300 bebe janë zhdukur këtu dhe një pjesë e madhe e komunitetit vdiq nga trajtimit çnjerëzor dhe siç e dini qeveria shqiptare ka ndërmarrë hapa konkrete për të përdorur një qasje shkencore dhe për të gjetur mbetjet e këtyre personave në këtë kamp dhe në kampe të ngjashme që Shqipëria ka edhe shumë të tjera si këto”, deklaroi Gentiana Sula, zv.ministre e Mirëqenies Sociale.

Mbi 6 mijë persona janë vrarë  dhe trupat e tyre nuk dihen ende dhe sot se ku janë. Zv.ministrja e Çështjeve Sociale, Gentiana Sulaj, tha se është ngritur një bazë të dhënash dhe shumë shpejt do të nisë puna për identifikimin e tyre.

“Të dhënat, në kuptimin shkencor, që kërkon standardi i kërkimit në bazë të ADN-së do të vijë së shpejti. Kemi krijuar zyrën e kërkimit pranë Institutit të të Përndjekurve Politikë. Database shkencor ka të bëjë edhe me depozitimin në të materialit gjenetik të familjarëve që do të kombinohet pastaj me materialin gjenetik të të gjeturve”, shtoi zv.ministrja Sula.

Në kuadër të ditës së të humburve, në kampin e ish të përndjekurve u vendos një monument përkujtimor në nder të tyre. Pjesëmarres në këtë ceremoni, përveç të afërme të familjarëve të zhdukur, të cilët e quanin “Kampin e Tmerrit”, nuk munguan edhe autoritete  si ambasadori i Polonisë, Marek Jeziorski si dhe zv.ambasadori i OSBE-së.

Top Channel