Vettel, e para në Monza me Ferrarin. Në kujtesë edhe fitorja e parë

01/09/2015 00:00

Ishte viti 2008, kur hidhte hapin e parë përrallor drejt një karriere tepër të suksesshme. Sebastian Vettel triumfonte për herë të parë në garat e Formula 1 pikërisht në një garë të Monzas, kur drejtonte një makinë Toro Rosso dhe kur ishte vetëm 21 vjeç.

Karriera e tij pasoi me të tjera suksese dhe jo vetëm garash, por edhe 4 tituj si kampion bote në sportin më të ndjekur të automobilizmit, trofe këto të ngritura gjatë periudhës kur garonte për Red Bullin. Ndërkohë, tashmë ka nisur një histori e re dhe të dielën e 6 shtatorit, Sebastian Vettel do të kujtojë triumfin e parë në Monza nën drejtimin e një Ferrari.

Me pak fjalë, për kampionin e botës nga Heppenheim, Çmimi i Madh i Italisë nuk do të jetë si gjithë të tjerët.

“Është e vërtetë, kam një sërë kujtimesh të bukura dhe ndjenjash pozitive të lidhura shumë me Monzan. Është gjithnjë bukur të kthehesh këtu. Madje, fakti që këtë vit do ta bëj me një Ferrari e bën edhe më speciale këtë fundjavë”, thotë gjermani Seb.

Megjithatë, nuk do të jetë një fundjavë e lehtë për të, ashtu sikurse dhe për “kokëkuqen”. Pista favorizon makinat me motor Mercedes, madje edhe kujtimi i atij episodi të frikshëm me gomën e shpuar në Spa Francorschamps nuk përbën mënyrën më të mirë për të mbërritur deri në garën aq shumë të pritur nga italianët, të gjithë të çmendur pas “kokëkuqeve”.

“Mezi pres të takoj tifozët tanë, jam edhe më shumë kurioz të garoj me njësinë e re të këtij viti, pasi më duket shumë më e fuqishme. Pesha më e lehtë e bën makinën më të vështirë për ta drejtuar, ndërsa në pjesët e drejta e të gjata vënë në provë tejet të fortë frenat. Megjithatë, kjo është një pistë tepër impenjative sa i përket aspektit fizik”.

Top Channel