Kosovë, Apeli çon për rigjykim kryekomunarin e Prizrenit

01/09/2015 00:00

Gjykata e Apelit në Kosovë ka kthyer për rigjykim çështjen ndaj kryetarit të Komunes së Prizrenit, Ramadan Muja, i cili ishte dënuar me dy vjet burgim me kusht për keqpërdorim të detyrës.

Përmes një komunikate për shtyp, Gjykata e Apelit ka njoftuar se kolegji i gjyqtarëve që ka pranuar ankesën e mbrojtjes ka vendosur që aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prizren, i datës13 mars 2014, të anulohet dhe që çështja t’i kthehet gjykatës së shkallës së parë për rigjykim.

Sipas komunikatës, Apeli ka konstatuar se aktgjykimi në fjalë përmban shkelje thelbësore të Kodit të Procedurës Penale, ndaj dhe si i tillë është i paqëndrueshëm ligjërisht.

Vendimi i Apelit ka shkaktuar reagimin e lëvizjes Vetëvendosje, e cila vlerëson se ky vendim është instrument i drejtësisë në shërbim të axhendës politike të pushtetit.

Vetëvendosje konsideron se ky rast është tregues i qartë për kapjen e shtetit në të gjitha segmentet, pasi sipas saj, Apeli nuk është marrë me përmbajtjen e aktgjykimit të shkallës së parë, por me dilemën nëse Prizreni duhet të shkojë në zgjedhje apo jo.

Gjykata Themelore e Prizrenit kishte shpallur fajtor kryetarin Muja dhe pesë bashkëpunëtorë të tij për keqpërdorim të detyrës.

Ata akuzohen se tjetërsuan pronën shoqërore dhe pa asnjë procedurë ua dhanë atë në shfrytëzim kompanive private, konkretisht një fabrike çokollate dhe një qendre arsimore turke.

Pas vendimit të shkallës së parë, partitë opozitare në Prizren dhe disa grupe të shoqërisë civile protestuan duke kërkuar dorëheqjen e Mujës, për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Por, i pari i Prizrenit kishte vendosur që rastin ta ndiqte në të gjitha instancat e drejtësisë, që tani kthehet sërish në pikën zero.

Top Channel