Statistikat e Prokurorisë: Në 6 muaj, intensifikim të luftës kundër korrupsionit dhe krimit

01/09/2015 00:00

Prokuroria e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë nënvizon se në 6-mujorin e parë të këtij viti ka intensifikuar ndjeshëm hetimet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organnizuar.

Përmes një komunikate për shtyp, organi qendror i akuzës ka publikuar të dhënat statistikore për periudhën janar-qershor 2015, në të cilat spikat rritja e numrit të procedimeve penale për zyrtarë të korruptuar, si dhe për eksponentë të grupeve kriminale të organizuara.

Kështu, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar rezulton se:

Për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” ka pasur 304 procedime për 76 persona të pandehur dhe nën hetim, një rritje kjo prej 75% krahasuar me janar-qershor 2014; si dhe 63 procedime të dërguara në gjykatë me 132 të pandehur.

Ndërsa për “vjedhje me anë të deytrës” procedimet kanë qenë 147 për 77 persona, një rritje kjo me 69 për qind, si dhe 44 procedime të dërguara në gjykatë për 53 persona të tjerë.

Sa i takon korrupsionit të zyrtarëve, procedimet e nisura për 6-mujorin e parë të vitit janë rritur 5 herë, ndërsa ato të dërguara për gjykim 8 herë.

Në njoftimin zyrtar saktësohet se për rastet e korrupsionit në drejtësi procedimet kanë qenë 2.5 herë më të mëdha. Procedimet për veprën penale të pastrimit të parave kanë qenë ndërkohë 123, ndaj 54 personave, të rritura me 81 për qind.

Në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar rezulton që procedimet të jenë 6 për 24 të pandehur, për pjesëmarrje në grupe të strukturuara kriminale, si dhe 2 raste me 19 persona të dërguara në gjykatë.

Prokuroria pretendon më tej për një rritje prej 100 për qind të procedimeve të nisura për kultivimin e bimëve narkotike dhe me 154 për qind të atyre të dërguara për gjykim.

Për trafikantët e drogës ka patur 55 çështje të hapura ndaj 66 personave, si dhe 31 të dërguara në gjykatë, ku rezultojnë të përfshirë mbi 70 persona.

Për vepra të tjera penale, të dhënat e organit të akuzës janë këto: vepra penale për qëllime terroriste, 2 procedime; trafiku i të miturve, 11 procedime me 8 të pandehur.

Ndërkohë, në kuadër të ligjit Antimafia, gjatë periudhës janar-qershor është kërkuar nga prokuroria dhe zbatuar nga gjykata sekuestrimi i pasurisë në 7 raste, ndërkohë që po shqyrtohet kërkesa për 6 raste të tjera.

Top Channel