Jahjaga, në 100-vjetorin e shkollës shqipe të Deçanit

01/09/2015 00:00

Presidentja Atifete Jahjaga mori pjesë gjatë së martës në manifestimin e 100-vjetorit të shkollës shqipe në trevën e Deçanit, të organizuar nga shoqata e historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, dega e Deçanit.

Presidentja Jahjaga mbajti edhe një fjalim, ku foli edhe për mbijetesën e arsimit dhe për rëndësinë e arsimimit dhe edukimit.

Pas përfundimit të manifestimit, Presidentja Jahjaga vizitoi shkollën fillore “Sylë Alaj” në Drenoc të Deçanit dhe bashkëbisedoi me nxënësit e me personelin arsimor të shkollës.

“Shpreh mirënjohjen time për ftesën për të marrë pjesë në manifestimin e 100-vjetorit të arsimimit shqip në komunën e Deçanit, përkatësisht për hapjen e shkollave me mësim në gjuhën shqipe në fshatrat Drenoc dhe Irzniç, e njëkohësisht iu përgëzoj për organizimin dhe kujtimin e datave të rëndësishme nga e kaluara e popullit tonë dhe të kësaj treve, veçanërisht për shënimin e jubileut të arsimimit në gjuhën shqipe”, thuhet në një njoftim për media të Kryeministrisë.

Presidentja ka përmendur edhe veprimtarët e kombit, si dhe mësuesit e gjuhës shqipe. Jahjaga ka rikujtuar gjithashtu edhe Kongresin e alfabetit në Manastir, kur u vendos që për gjuhën shqipe të përdorej alfabeti latin, si një sukses të madh, si një përcaktim të drejtë, si një rreshtim të popullit shqiptar në familjen europiane.

“Shkolla shqipe ka një domethënie të veçantë për popullin e Kosovës, sepse me të ka ruajtur edhe identitetin, jo vetëm gjuhën. Por edhe sepse, bashkë me të, ka kultivuar ndjenjën për liri dhe ndjenjën për të qenë i barabartë me të gjithë popujt e tjerë”.

FOTO GALERI
1/9

Top Channel