Fluksi i emigrantëve, Budapesti në kaos; Austria: Merkel të japë sqarime

01/09/2015 00:00

Trafiku u pezullua për rreth një orë këtë të martë në stacionin hekurudhor të Budapestit, që është mbyllur për shkak të mbërritjes së trenëve me emigrantë që synojnë të arrijnë Austrinë dhe Gjermaninë.

“Asnjë tren nuk do të niset apo do të mbërrijë nga stacioni i Keletit deri në një urdhër të ri. U kërkojmë të gjithëve të largohen”, u lajmërua gjatë ditës përmes altoparlantëve.

Më pas, gjatë orëve të drekës policia ka boshatisur sheshin përpara stacionit duke përdorur gaz lotsjellës ndaj qindra emigrantëve që ishin mbledhur me shpresën për t’u nisur.

Zëdhënësi i qeverisë hungareze, i cili u pyet mbi motivet e mbylljes së stacionit, tha se, Budapesti zyrtar po përpiqet të aplikojë normativën e BE-së, që u kërkon emigrantëve që duan të lëvizin në zonën Schengen që të pajisen me një pasaportë dhe një vizë.

Ndërkohë, ministri i Mbrojtjes, Casba Hende ka njoftuar në Parlament dërgimin e 3 mijë deri në 3.500 ushtarëve të tjerë në kufirin jugor të vendit, prej nga vjen dhe shumica e këtij fluksi njerëzish, për të mbështetur policinë.

Emigrantët që kanë mbërritur në Hungari kanë kaluar nga Turqia përmes detit Egje, duke arritur në Greqi, Maqedoni dhe më pas në Serbi. Ata kanë arritur të hyjnë në vend pavarësisht barrierës prej 175 kilometrash të ngritur në gusht përgjatë kufirit me Serbinë.

Ndërkohë, duke parë fluksin e emigrantëve të mbërritur në ditët e fundit, ministrja e Brendshme austriake, Johanna Miki Leltner i ka kërkuar sqarime Gjermanisë.

Kërkesa lidhet me rregullat evropiane të azilit në mënyrë që refugjatëve në Hungari të mos u jepen shpresa të rreme.

“Ka zëra sipas të cilëve Gjermania po dërgon trena në Budapest për të marrë refugjatët. Gjëja më e rëndësishme është që Gjermania t’i informojë ata se marrëveshjet e Dublinit nuk janë pezulluar”, ka deklaruar ministrja Leltner.

Vetëm ditën e hënë, në Vjenë mbërritën me anë të trenit 3.650 refugjatë, shifra më e lartë në një ditë të vetme e regjistruar që nga fillimi i vitit.

Top Channel