Për shumicën e refugjatëve, udhëtimi drejt Europës nis nga Facebook

01/09/2015 00:00

Aspirantët për të qenë refugjatë për t’iu shpëtuar luftrave në Lindjen e Mesme janë duke përdorur gjithnjë e më shumë Facebook-un si busullën e tyre për të gjetur trafikantët, që ata shpresojnë se do t’i marrin me vete drejt një jete më të mirë në Europë.

Rrjeti social me seli në Amerikë, por edhe media të tjera sociale, të cilat dikur janë përdorur për të ndihmuar në mobilizimin e trazirave të të ashtuquajturës “Pranverë arabe”, tashmë shërbejnë si mjete informacioni për ata që arratisen nga lufta civile në Siri, apo nga konfliktet e tjera të rajonit.

Në Facebook apo gjetkë, refugjatët mund të gjejnë mjaftueshëm sa për të ditur çmimet, tarifat, ryshfetet që do të duhet të paguajnë për një udhëtim të tejmbushur me rreziqe, duke nisur nga mbytja në det apo asfiksia në ndonjë kamion. Më shumë se kushdo, aplikacionet e mesazheve si WhatsApp apo Viber i ndihmojnë ata në gjetjen e rrugëve për të kontaktuar trafikantët, miqtë dhe familjet, ndërkohë që hartat online si “Google Map” i sigurojnë ata që nuk do të humbin diku.

Në disa grupe arabe të krijuara në Facebook, përdoruesit e këtij rrjeti social publikojnë numrat e telefonave të atyre që mund të marrin refugjatë nga brigjet e Turqisë deri në ishujt fqinje të Greqisë, madje edhe më thellë në Europë, një kontinent që po vuan së tepërmi në përballimin e krizës së emigrantëve.

Për ata që kërkojnë ndonjë varkë që të çon drejt Greqisë, detajet se ku mund të kalohet më së miri kufiri serbo-hungarez, apo për çmimin e përgjithshëm për t’u transferuar nga Turqia drejt Gjermanisë, përdoruesit e këtyre grupeve duket se ofrojnë shumë përgjigje, nga të cilat mund të zgjedhësh.

Një publicitet i publikuar këtë javë bënte të ditur disponueshmërinë e një vendi të minutës së fundit në një gomone që do të nisej nga qyteti bregdetar i Turqisë, Izmiri, një prej pikave kryesore të nisjës së refugjatëve sirianë drejt Greqisë. Çmimi për atë vend ishte 1200 dollarë.

“Udhëtimi është lënë për ditën e nesërme, 100 për qind e sigurt – thuhej në publikim. – Ata do t’iu ofrojnë një jelek shpëtimi”. Ndërkohë, në një tjetër postim ofroheshin vende në një “jaht turistësh” shumë më komod sesa gomonja për vetëm… 2500 euro.

Facebook-u duket se është bërë një udhërrëfyes i domosdoshëm i refugjatëve madje që para se të nisen nga Siria, – thotë Muhammed Salih Ali, – kreu i Shoqatës për Solidaritet me Refugjatët sirianë, me seli në Izmir. Shumica prej tyre janë udhëzuar që t’i drejtohen provincës Basmane të Izmirit, selia informale në Turqi e trafikantëve, si dhe atyre që shpresojnë të mund të kalojnë drejt Europës.

Top Channel