Refugjatët duan Gjermaninë prej mitit të vendit më të pasur në Europë

02/09/2015 00:00

Refugjatët që mbërrijnë në Austri nuk duan të qëndrojnë atje. Ajo që kërkojnë të gjithë është të shkojnë në Gjermani. Por, cilat janë arsyet, që e bëjnë Gjermaninë kaq joshëse për të larguarit nga konfliktet dhe varfëria në Lindjen e Mesme e Afrikë.

Shumë mendojnë se motivet, që shtyjnë emigrantët drejt ekonomisë më të fuqishme të Europës lidhen më tepër me mite, sesa me realitetin e prekshëm. Një prej mijëra njerëzve, që i kanë hyrë këtij udhëtimi, Farah Aly, i pagoi 1500 euro trafikantit, që duhet ta çonte në Gjermani, por që pas 15 ditësh i braktisi atë dhe 29 personat e tjerë të grupit, në një fushë të Austrisë, ku u pikasën prej patrullave të policisë.

Në vend që të gëzohej, që u dërgua në një strehë të rehatshme, ku kishte për të ngrënë e për të pirë bashkë me fëmijën e saj, 32-vjeçarja irakene qante nga dëshpërimi. I biri ka një difekt në lindje dhe Farah ishte e bindur se, vetëm mjekët gjermanë mund ta ndihmonin.

Dhe, kur iu tha se edhe Austria, ashtu si Gjermania, ka një sistem mjekësor tepër të avancuar, gruaja ishte e mbytur nga dyshimet. Askush nuk i kishte folur për Austrinë në Bagdad. Atje ka dëgjuar vetëm për Gjermaninë, sa e pasur është dhe sesi udhëheqësja e saj është e gatshme t’i pranojë refugjatët.

Gjermania është përfundimisht një vend i mirë dhe vetëm mjekët atje mund ta ndihmojnë të birin të përdorë plotësisht krahun e tij të djathtë. Kjo është ideja që qarkullon mes emigrantëve: ata flasin me njëri-tjetrin për vendin e premtuar në Europë, ku ka paqe, mirësi, bollëk, ku për ta mund të ketë një të ardhme.

Të hënën, një grup sirianësh të porsambërritur në Budapest, thërrisnin me të madhe në stacionin e trenit: Gjermani, Gjermani. Austria nuk është mjaftueshëm e mirë për ta. Policia atje mund të përdorë rregulloren e Dublinit e t’i kthejë në Hungari, ku i kanë trajtuar shumë keq.

Këta njerëz duan të jetojnë në vende, ku të ndihen të mirëpritur. Dhe, ajo çfarë tregohet në vendet nga vijnë është se, i vështirë është vetëm rrugëtimi drejt Gjermanisë, Anglisë, Belgjikës e vende të tjera; por me të mbërritur atje do t’i strehojnë e do t’u japin parà çdo muaj, derisa të gjejnë një punë, do t’u japin një shtëpi; e thënë ndryshe, do të marrin për veten dhe fëmijët e tyre të ardhmen, që në vendlindje ua kishin rrëmbyer.

Top Channel