Me mijëra emigrantë të tjerë shkelën në tokën greke, ndërsa ekzekutivi i shtetit helen përgatitet për bisedime mbi mënyrat sesi t’i bëhet ballë fluksit të jashtëzakonshëm të të ardhurve.

Dy anije me mbi 4200 persona u larguan gjatë natës nga ishulli Lesbos, e iu drejtuan portit të Pireut. 160 mijë janë në total të mbërriturit në Greqi deri tani, këtë vit, shifër kjo shumë më e lartë se në të gjithë 2014-n.

Athina këmbëngul se nuk ka burimet e nevojshme, që të kujdeset për kaq shumë njerëz, edhe pse grupet e ndihmës mendojnë se autoritetet greke duhet të bëjnë më shumë.

Të martën, Presidenti grek Prokopis Pavlopoulos i telefonoi homologut francez, Francois Hollande, e i kërkoi që situata e Greqisë të diskutohet në nivel të lartë europian.

Sipas rregullores së Dublinit, kërkesën për azil, refugjatët duhet ta depozitojnë në vendin e parë europian ku kanë shkelur. Por Greqia dhe Italia, portat hyrëse të emigrantëve në Europë, e kanë të pamundur të sistemojnë një numër të tillë njerëzish dhe shumë nga emigrantët drejtohen për në veri.

Në fillim të javës, Hungaria i braktisi përpjekjet për të regjistruar refugjatët e lejoi një numër të madh të tyre të merrnin nga stacioni qendror i Keletit, në Budapest, trenat që i çonin drejt Vjenës dhe jugut të Gjermanisë.

Të martën, megjithatë, stacioni u evakuua nga forcat e rendit, që lanë jashtë tij rreth 1000 emigrantë. Zemërimi i tyre u bë mëse i qartë, sidomos në orët e mbrëmjes. Duke tundur biletat e trenit për në Austri apo Gjermani, që i kanë kushtuar me qindra euro, të ardhurit kërkuan që t’i lejojnë të largohen.

Por ndryshimin, mesa duket, mund ta bëjë edhe një ditë e vetme. Qeveria e Viktor Orbanit ndryshoi qëndrim. Deklarata e fundit e saj është se do t’i regjistrojë të gjithë refugjatët dhe, ata që do të konsiderohen emigrantë ekonomikë do të dërgohen mbrapsht në shtetin nga ku kaluan kufirin për në Hungari.

Top Channel