Emigrantët, Islanda kërkon kuotë më të madhe strehimi

02/09/2015 00:00

Sipas planit të Bashkimit Europian për ndarjen e peshës së emigrantëve mes vendeve anëtare, në Islandë do të shkonin maksimumi 50 vetë, nga emigrantët që këto muaj po kërkojnë shpëtim në BE.

Por, 320 mijë qytetarët islandezë nuk janë dakord me këtë shifër. Pas një apeli të lëshuar nga një shkrimtare dhe pedagoge vendase, ku i kërkohej qeverisë të mundësohej pritja personale e refugjatëve sirianë, 12.600 familje kanë reaguar duke ofruar shtëpitë e tyre, e madje kanë kujtuar se kjo nuk është e para herë, që ishulli i largët lëviz për t’u ardhur në ndihmë të tjerëve.

“Refugjatët janë burime njerëzore, eksperience dhe kapaciteti. Refugjatët janë bashkëshortët tanë të ardhshëm, miqtë tanë më të mirë, shpirtrat binjakë, kolegët tanë etj.”, thuhet në peticionin që nuk mban vetëm fjalë, por edhe oferta konkrete, madje edhe bileta avioni.

Ministri i Mirëqënies Sociale ka ndërhyrë më tej, duke shpjeguar sesi njerëzit janë të ngopur me lajme të tilla, si vdekja e emigrantëve në Mesdhe apo kampet e mjerueshme të refugjatëve. Qeveria islandeze – sipas tij, – po vlerëson kërkesat e marra dhe ka gjasa të kërkojë një rishikim të kuotës së saj.

Edhe kryeministri i vendit është shprehur se “ne synojmë të prezantohemi si një forcë pozitive në politikën e jashtme ndërkombëtare, ndërsa kjo e emigrantëve është kriza më urgjente. Mendoj se, në vend kemi mbështetje të gjerë për të bërë më shumë për zgjidhjen e këtij problemi, por duhet vetëm të gjejmë mënyrën sesi ta bëjmë më mirë këtë”.

Top Channel