Tragjedi në Paris, zjarri u merr jetën 8 personave; dy fëmijë

02/09/2015 00:00

Një zjarr i qëllimshëm, siç dyshojnë disa zyrtarë lokalë, i cili shpërtheu gjatë natës në një ndërtesë të shekullit të XVIII (18) në një nga periferitë e Parisit, ka rezultuar në një bilanc tragjik me 8 viktima, prej të cilëve dy fëmijë.

Në vendngjarje kanë ndërhyrë rreth 70 zjarrfikës, që kanë vijuar për orë të tëra përballjen me flakët. Ministri i Brendshëm francez, Bernard Cazeneuve mbërriti po ashtu në vendin e incidentit.

Zjarrfikësit kishin ndërhyrë për të shuar një tjetër zjarr, në të njëjtën godinë, dy orë para nisjes së tragjedisë, ndaj – sipas zyrtarëve, – hetuesit tashmë po ndjekin pistën kriminale.

Skuadrat e zjarrfikësve kishin hyrë në aksion pas një telefonate të marrë në orën 2:23 pas mesnate dhe kishin shuar një zjarr në zonën e shkallëve.

Disa prej viktimave, – sipas zyrtarëve, – kanë humbur jetën për shkak të asfiksimit nga tymi, ndërsa të tjerë pasi janë hedhur nga dritaret për t’iu shpëtuar flakëve. Në këtë incident janë plagosur edhe 4 persona të tjerë.

Flakët kanë nisur në katin nëntokë dhe origjina e tyre është ende e paqartë. Në vendngjarje ka mbërritur gjatë natës edhe kryebashkiakja e Parisit, Anne Hidalgo. “Qyteti është në zi”, ka thënë ajo, duke saktësuar se ndërtesa ishte në gjendje të mirë para zjarrit.

Edhe Presidenti francez, Francois Hollande ka shprehur solidaritetin me viktimat e tragjedisë dhe u ka kërkuar autoriteteve të hedhin dritë mbi gjithçka ka ndodhur.

Top Channel