Austri, zbulohen 24 afganë në “qelinë me rrota”

02/09/2015 00:00

Policia austriake ka shpëtuar 24 adoleshentë afganë të ngjeshur brenda një furgoni, që ngjasonte me një qeli burgu mbi rrota.

Aksioni i fundit vjen pas forcimit të kontrolleve mbi automjetet që hyjnë në vend, pasi 71 persona u gjetën të vdekur javën e shkuar brenda një kamioni.

“Në makinë gjendeshin 24 të rinj afganë, pjesa më e madhe të grupmoshës 16-17 vjeç. Ata ishin vendosur si objekte në këtë mjet të rrezikshëm, të ngjeshur mbi njëri-tjetrin në një hapësirë shumë të vogël”, tha një zëdhënës i policisë. “Dritaret dhe dyert anësore ishin të mbyllura, ndërkohë që ajrimi vinte nga hapësira shumë të vogla. Për më tepër, xhamat e dritareve ishin lyer me bojë të zezë”.

Afganët mësohet se nuk kishin nevojë për kujdes shëndetësor, ndërkohë që shoferi rumun i furgonit është arrestuar. Në anën tjetër, edhe dy arrestime të tjera janë raportuar në lidhje me 71 trupat e pajetë të gjetur në kamionin e braktisur në Austri.

Policia thotë se, një person është arrestuar në Bullgari dhe një tjetër në Hungari, edhe pse nuk është ende e qartë se çfarë roli kanë pasur ata. Në total janë arrestuar 7 persona për atë ngjarje të kobshme që tronditi ditën e punimeve të Samitit të Vjenës për Ballkanin Perëndimor.

Austria e gjen veten gjithnjë e më të përfshirë në krizën europiane të emigracionit. Mijëra njerëz nisin udhëtimin e rrezikshëm, me shpresën që të marrin azil në vende si Gjermania apo Suedia.

Top Channel