Zgjedhjet në Turqi, Erdogan u bën sërish presion kundërshtarëve

02/09/2015 00:00

Policia turke kreu kontrolle gjatë së martës, në zyrat e një kompanie të lidhur me klerikun me qëndrim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Fetullah Gulen, që akuzohet se po komploton kundër Presidentit Recep Tayyip Erdogan, një lëvizje që nga kritikët konsiderohet si një përpjekje për t’i mbyllur gojën medias opozitare, dy muaj para zgjedhjeve.

Erdogan, i cili synon që partia në pushtet e themeluar prej tij, AK, të fitojë shumicën në zgjedhjet e parakohshme të 1 nëntorit, akuzon Gulenin se po përpiqet ta rrëzojë atë nëpërmjet një strukture paralele mbështetësish në gjyqësor, polici, media dhe institucione të tjera.

Policia kreu kontrolle në zyrat e 23 kompanive në grupin “Koza Ipek”, interesat e të cilit variojnë nga minierat e deri te stacionet televizive, me dyshimin se siguron mbështetje për grupin “terrorist gulenist”.

Agjencia turke e lajmeve, Anadolia, bëri të ditur se 6 persona ishin ndaluar gjatë kontrollit. Operacioni i së martës erdhi pasi një llogari në Tëitter, që kishte parashikuar në mënyrë korrekte aksionet e policisë më herët, njoftoi javën e shkuar se Erdogan planifikonte një raprezalje mbi mediat kritike ndaj qeverisë, para zgjedhjeve.

Kleriku Gulen, i cili jeton në azil të vetimponuar në Pensilvani që nga viti 1999, ka mohuar në të shkuarën akuzat se ka ambicie për të rrëzuar Erdoganin. Gulen është akuzuar gjithashtu edhe për aktivitete terroriste.

Beteja mes Erdoganit dhe Gulenit u bë publike në dhjetor të vitit 2013, kur një hetim për korrupsion, që kishte në shënjestër njerëz të afërt me Erdoganin, doli në dritë. Çështjet gjyqësore të lidhura me këtë hetim nuk u finalizuan asnjëherë, për shkak të një riorganizimi në shkallë të gjerë të policisë dhe gjyqësorit.

Erdogan, që asokohe ishte kryeministër, fajësoi mbështetësit e klerikut për ngritjen e akuzave për korrupsion, si dhe largoi nga puna mijëra policë dhe pjesëtarë të gjyqësorit, që i konsideronte besnikë ndaj Gulenit.

Top Channel