F1, afron gara e Monzas. Ende polemika për gomat

02/09/2015 00:00

Në ambientet e skuderive të Formula 1 nuk janë shuar ende polemikat, në lidhje me atë çfarë ndodhi gjatë Çmimit të Madh të Belgjikës, në Spa Francorchamps, kur Sebastian Vettelit i shpërtheu goma në xhiron e parafundit të garës.

Mësohet se ka ende diskutime për të mësuar shkakun e këtij problemi, ndërkohë që këtë fundjavë do të zhvillohet gara e radhës, ajo në Monza të Italisë.

Pas garës në Spa, piloti gjerman i Ferrarit nuk ngurroi të kritikonte Pirellin për problemin e shfaqur me gomën e tij, kritika që nuk u pranuan nga kompania italiane. Drejtuesit e kësaj të fundit arritën deri aty, sa deklaruan që i gjithë faji ishte i vetë pilotit dhe skuderisë nga Maranello, që preferuan një strategji me një ndalesë në bokse, “pit stop”, strategji që u mbrojt me forcë nga Vettel.

Ndërkaq, te Pirelli, në fillim të kësaj jave u deklarua se u kryen hetimet në lidhje me atë çfarë ndodhi në pistën belge dhe, sipas kësaj kompanie, shkaku i shpërthimit të gomës së Vettel ishte çarja e saj nga një prej mbetjeve të makinave të tjera në pistë, ose gjatë përshkimit të një kthese nga ana e gjermanit.

Top Channel