Në hetim në Itali, i sekuestrohen bizneset dhe 15.300 m2 truall

02/09/2015 00:00

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka vendosur sekuestro për 11 mijë m2 truall dhe ndërtime, dhe 15.300 m2 tokë arë, të regjistruar në emër të shtetasit Dashamir Gjoka, nga Shijaku. Sipas dokumenteve të mbërritura në organin e akuzës nga autoritetet italiane, Gjoka është dënuar me 7 vjet e 6 muaj për veprat penale organizatës kriminale dhe shfrytëzim të prostitucionit. 

Ngjarjet për të cilat është deklaruar fajtor dhe dënuar Dashamir Gjoka, kanë ndodhur në periudhën 1999 deri në vitin 2003. Në këto ngjarje, Dashamir Gjoka del si drejtues i organizatës që vepronte në Milano e Puglia, dhe që merrej që me futjen në mënyrë klandestine në territorin e shtetasit italian të grave me origjinë nga Evropa Lindore, me qëllim prostituimi në formën e detyrimit, favorizimin dhe shfrytëzimit të prostitucionit.

Sipas informacionit të autoriteteve italiane, Gjoka rezulton si drejtues i organizatës në fjalë dhe të hollat e siguruara nga ky aktivitet kriminal merreshin dhe i dërgoheshin atij në Shqipëri. Gjoka, sipas provave në gjykim, me të ardhurat e marra kishte blerë disa prona në Shqipëri.

Mbi bazën e vendimeve nga autoritett italiane, Dashamir Gjoka u shpall në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma dhe është arrestuar më 7 qershor 2013 në Shqipëri, për efekt ekstradimi. Në procesin për lejimin e ekstradimit të zhvilluar në të tre shkallët e gjyqësorit shqiptar, është refuzuar kërkesa për ekstradim.

Paralelisht me shqyrtimin gjyqësor për ekstradimin e tij në Itali, Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimin për veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale”, për të verifikuar burimin e pasurive të tij, për të cilat kishte dyshime se ishin krijuar nga aktiviteti i paligjshëm në Itali.

Top Channel