Goditet fondi i pensioneve në Kosovë, shkak luhatja e bursave në Kinë

02/09/2015 00:00

Fondi i Kursimeve për Pension të Kosovës (FKPK) ka humbur dhjetëra-miliona euro në tremujorin e tretë të këtij viti.

Si pasojë e zhvlerësimit të monedhës kineze dhe krizës globale, tregjet financiare – në përgjithësi – dhe ato të aksioneve – në veçanti, – pësuan tronditje të mëdha, gjë që shkaktoi edhe humbjen e aseteve që ky fond kishte të investuara jashtë vendit.

Zëdhënësi i fondit, Jeton Demi ka treguar për Top Channel se, rënia më e madhe e aksioneve ka ndodhur në javën e fundit të gushtit.

“Tremujori i tretë ka pësuar një rënie me 27 milionë euro. Prej pikës ku kemi qenë, jemi rritur me 60 milionë brenda këtij tremujori. Megjithatë, deri më tani, kriza nuk i ka goditur në masë të frikshme investimet e Fondit të Kursimeve për Pension, madje kemi qenë në territor pozitiv deri më 28 gusht”, tha Jeton Demi.

Demi bëri të ditur se, luhatjet aktuale në tregjet financiare botërore nuk janë parë në 7 vitet e fundit, pasi – sipas tij, – ka shumë luhatje ekstreme brenda ditës.

Megjithatë, ai deklaroi se qytetarët e Kosovës nuk duhet të frikësohen, pasi trendi është në përgjithësi pozitiv dhe, që nga themelimi i fondit e deri më tani, fitimet llogariten të jenë mbi 30 përqind.

“Ajo çfarë mund të themi është se tregjet nuk janë të qëndrueshme. Ka luhatshmëri të forta. Parashikimet nuk mund të jenë të sakta, se çfarë do të mund të ndodhë. Shumë e rëndësishme është, që investimet tona janë përqendruara më shumë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku treguesit e fundit të rritjes ekonomike ishin mjaft pozitiv, diku 3.7 për qind rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto për tremujorin e dytë, gjë që është tregues shumë i mirë për investimet tona, të cilat janë përqendruar në masë të madhe në SHBA”, tha Jeton Demi, zëdhënës i fondit.

Fondi i përgjithshëm i Kursimeve për Pension të Kosovës ka shkuar në vlerën e 1.17 miliardë eurove. Nga kjo shumë, rreth 900 milionë euro janë të investuara nëpër tregje financiare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe vende të tjera, ndërsa rreth 60 milionë euro janë letra me vlerë të Qeverisë së Kosovës.

Pjesa tjetër është parà e gatshme (cash) në llogarinë e Fondit të Kursimeve në Bankën Qendrore të Kosovës dhe përdoret për çështje likuiditeti.

Top Channel