Alarm për klandestinë në binarë, ndalohen trenat në “Eurotunel”

02/09/2015 00:00

Trenat e shpejtësisë së lartë të “Eurostar”-it, që udhëtojnë ndërmjet Britanisë së Madhe dhe Francës, ndaluan për disa orë gjatë natës për shkak të dyshimeve se binarët ishin bllokuar nga emigrantë të paligjshëm.

Vonesat në të paktën 5 trena shkaktuan zemërimin e pasagjerëve, të cilët u ankuan se gjatë pritjes i është ndërprerë energjia elektrike dhe ajri i kondicionuar. Tre nga trenat e përfunduan udhëtimin, ndërsa dy të tjerë u kthyen mbrapsht.

Nga autoritetet franceze nuk ka të dhëna për ndonjë të arrestuar. Porti francez i Kalesë (Calais) është kthyer në epiqendrën e përpjekjeve të klandestinëve për të kaluar në Britani nëpërmjet “Eurotunelit” – tuneli që lidh Francën me Britaninë përmes kanalit të La Manshit, apo të ashtuquajturit “English Channel” sipas britanikëve.

Megjithatë, numri i njerëzve që po përpiqen të “hidhen” kësisoj drejt Anglisë, ka rënë me 100 deri 200 veta në natë, krahasuar me 2000 vetët që tentonin kalimin brenda një nate gjatë muajit korrik.

Më e rënduar vazhdon të paraqitet situata në kufijtë lindorë të Europës. Të martën, Organizata Ndërkombëtare për Migrim (OEM) bëri të ditur se, më shumë se 350 mijë refugjatë kanë ndërmarrë rrugën e rrezikshme nëpërmjet Mesdheut gjatë këtij viti, duke iu larguar varfërisë dhe trazirave në Lindjen e Mesme e në Afrikë.

Mbi 234 mijë veta kanë zbritur në brigjet e Greqisë, rreth 114 mijë në Itali dhe një numër më i vogël në Spanjë e në Maltë. Dy mijë e 600 emigrantë llogariten të kenë humbur jetën, më së shumti nga mbytja e anijeve të vjetra e të mbipopulluara që përdorin trafikantët.

Të dhënat janë publikuar në një periudhë, kur Europa vazhdon të përballet me fluksin më të madh të emigrantëve që prej Luftës së Dytë Botërore.

Top Channel