Kosova, në arbitrazh për privatizimin e dështuar të PTK-së

02/09/2015 00:00

Qeveria e Kosovës do të ballafaqohet në Gjykatën e Arbitrazhit me kompaninë “Axos Capital Partners”, e cila kishte fituar tenderin për privatizimin e Postës dhe Telekomit të Kosovës.

Qeveria e Kosovës anuloi në vitin 2013 shitjen e PTK-së kundrejt kompanisë “Axos Capital Partners”, me arsyetimin se kjo kompani nuk kishte plotësuar kushtet financiare, duke kërkuar disa herë shtyrjen e afatit. Kryeministri Isa Mustafa autorizoi Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, që të përgatitet për – siç tha, – mbrojtjen e interesit të buxhetit të Kosovës.

“Ne kemi biseduar gjatë kësaj periudhe me zv.kryeministrin, ministrin e Drejtësisë, atë të Zhvillimin Ekonomik dhe ekspertë të tjerë. Kemi pranuar vlerësimin se, në këtë rast, duhet një përfaqësim profesional që të mbrojë buxhetin e shtetit. Propozimi është që të autorizohet Ministria e Zhvillimit Ekonomik, për nisjen e procedurave për zgjedhjen e përfaqësimit, në lidhje me kërkesën për arbitrazh, drejtuar institucioneve të Kosovës nga kompania ‘Axos Capital GmbH’ në lidhje me privatizimin e PTK-së”, tha Isa Mustafa.

Shefi i ekzeutivit kërkoi edhe nga Minsitria e Financave, që të sigurojë mjetet e nevojshme për këtë përfaqësim, pasi – siç tha, – këto mjete aktualisht nuk janë në dispozicion. Zyra e Avokatit të Shtetit, ndërkaq, duket se nuk ka mundësi ta përfaqësojë Kosovën në këtë çështje, për çka edhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi propozoi angazhimin e një përfaqësie të autorizuar.

Pikërisht në këtë mbledhje, ministri i Financave, Avdullah Hoti kërkoi nga kompania publike PTK, që të paguajë këstin e radhës së dividentëve për Qeverinë e Kosovës, pasi aktualisht afati i përcaktuar është shkelur.

PTK-ja, si kompani publike, ka qenë pjesë e dy proceseve të dështuara të privatizimit, periudhë gjatë së cilës vlera i ka rënë ndjeshëm. Kompania “Axos Capital Partners” u shpall fituese e tenderit për privatizimin e PTK-së, pasi dorëzoi ofertën më të lartë financiare, duke ofruar çmimin prej 277 milionë eurosh, me kushtin që PTK-ja të ketë deri në 35 milionë euro në llogarinë e saj bankare. Kjo nënkuptonte se oferta financiare e “Axos”-it ishte 244 milionë euro. Privatizimi i PTK-së është kundërshtuar nga opozita, shoqëria civile dhe sindikatat.

Top Channel