Lutja për Paqen në Tiranë, 4 mijë të huaj do të dëshmojnë rëndësinë e paqes

02/09/2015 00:00

Ditën e dielë, Tirana do të jetë vendi nga ku mijëra qytetarë të botës do të luten për paqen. Ministri i Mirëqënies Sociale Blendi Klosi tha se Shqipëria është përzgjedhur nga komuniteti i San’t Egidios, për këtë event ku do të dëshmohet mbi ngjarje dhe personazhe reale, sesa e rëndësishme është paqja dhe si mund të arrihet ajo vetëm përmes dialogut.

“Është zgjedhur Shqipëria si një vend që realisht kotribuon për paqen në rajon, një vend i cili është vizituar nga Papa Francesku vetëm një vit më parë, dhe është një vend që sot promovon një nga shembujt më të spikatur të tolerancës fetare, jo vetëm në rajon po mbase dhe më gjerë. Vijnë përfaqësues të vendeve në konflikt, si nga Siria, Iraku, Izraeli, priten nga Nigeria apo Filipinet. Njerëz që do të sjellin realisht jetën e përditshme në ato vende, se si mundet që përmes paqes të kemi më shumë harmoni në botë”, tha ministri Klosi.

Tirana për tre ditë me rradhë në datat 6, 7 dhe tetë shtator do të presë mbi 4 mijë qytetarë të huaj nga e gjithë bota, të cilët jo vetëm do të luten por do të tregojnë për rëndësinë jetike që ka paqja sot në botë

“Pritet të organizohet nga komuniteti San’t Egidios, një komunitet shumë i spikatur për negocime në botë në vende ku ka konflikte. Dhe në Shqipëri komuniteti ka organizuar negociata që disa herë kanë qënë të dukshme, e disa herë sekrete, po gjithmonë komuniteti i San’t Egidios është pjesë e këtyre negociatave. Në ditët që do të zhvillohet aktiviteti do të flitet për paqen, por do të sillen dhe shembuj dhe jetë reale se si paqja ka arritur të shmangë luftën”,vijoi ministri Klosi.

Klosi tha se është krijuar një komitet organizativ për marrjen e të gjitha masave përfshirë edhe ato të sigurisë, për mbarëvajtjen e aktivitetit.

Top Channel