Kriza e emigrantëve, sërish protestë në stacionin e Budapestit

02/09/2015 00:00

Qindra emigrantë kanë protestuar për të dytën ditë rresht ndaj vendimit të qeverisë së Hungarisë për t’u ndaluar atyre udhëtimin drejt Gjermanisë dhe vendeve të tjera të BE-së.

Aktualisht në stacionin hekurudhor të Keletit në Budapest ndodhen rreth 2 mijë persona të cilët kanë blerë bileta për të udhëtuar më tej, por që janë detyruar të ngrenë çadra.

Qindra prej tyre kanë protestuar duke bërtitur “Liri, liri” dhe duke valëvitur biletat e trenit, duke thënë se kishin paguar qindra euro për të udhëtuar.

Sipas gazetarëve që ndodheshin në vendin e ngjarjes, tensionet kanë qenë të larta, pasi klandestinët janë përfshirë në një përballje me trupat e policisë.

Një konfrontim ka ndodhur edhe në një stacion tjetër hekurudhor të Budapestit, ku një grup emigrantësh bllokuan një platformë dhe refuzuan të hipnin në një tren që do t’i dërgonte në një qendër pritjeje në qytetin lindor të Debreçenit.

Ndërkohë, mbi 4 mijë emigrantë të tjerë arritën në Greqi nga ishulli helen i Lesbos gjatë natës. Bashkimi Europian po lufton për të rënë dakord mbi një politikë të përbashkët të vendeve anëtare për t’u përballur me krizën.

I dërguari i BBC në Bruksel, Chris Morris deklaron se Komisioni Europian po punon për të hartuar një listë të vendeve të sigurta të origjinës, për të kthyer mbrapsht azilantët që vijnë nga këto vende.

Një zëdhënës i Komisionit deklaroi këtë të mërkurë se po përgatiten propozime për një mekanizëm që automatikisht të rishpërndajë në përpjestimin e duhur personat që kërkojnë azil në vendet anëtare.

Italia dhe Greqia janë ankuar se janë të tejmbushura me emigrantët që mbërrijnë në brigjet e tyre dita ditës.

Top Channel