Danimarka, ja 5 shqetësimet e trajnerit Olsen

02/09/2015 00:00

Danimarka vazhdon përgatitjet për sfidën ndaj Shqipërisë. Trajneri Morten Olsen ka blinduar kampin stërvitor, duke mos i lejuar as mediat që të afrohen, përveç 15 minutave të para ku lojtarët kanë zhvilluar disa ushtrime fizike.

E përditshmja “Ekstra Bladet” ka shkruar se tensioni është i lartë, pasi Olsen nuk dëshiron që mediat apo njerëz të tjerë të zbulojnë planet e tij për ndeshjen e së premtes.

Një humbje në Kopenhagen mund të jetë një lamtumirë për trajnerin, i cili po përballet me disa dëmtime të lojtarëve kryesorë. Kjo e përditshme gjithashtu ka renditur 5 problemet që Olsen duhet të zgjidh për ndeshjen me Shqipërinë.

1. Krahu i majtë i mbrojtjes
Mbrojtësi i Ajax-it, Nicolai Boilese do të mungojë për sfidën e së premtes, ndërsa për këtë pozicion janë në lojë tre emra, por më i preferuari mbetet Thomas Delaney.

2. Regjia
William Kvist, Krohn-Dehli dhe Andreas Christensen mbeten tre alternativat për këtë pozicion, por me Kvist që në avantazh. Christensen është shumë i ri dhe pa shumë eksperiencë në ndeshjet ndërkombëtare, ndërsa Krohn-Dehli nuk është në formën e tij më të mirë.

3. Mesfushor i avancuar
Pavarësisht pikëpyetjeve mbi formën, Krohn-Dehli mund të jetë në fushë të premtën në mbrëmje dhe të luajë si mesfushor i avancuar. I njëjti lojtar mund të përshtatet edhe në krahun e majtë. Si mesfushor të avancuar mund të luajnë edhe Jakob Poulsen dhe Nicolai Jorgensen.

4. Krahu i djathtë i mesfushës
Yussuf Poulsen mbetet lojtar që pritet të mbulojë këtë pozicion, pasi edhe në testet e fundit të Olsen e ka provuar. Mirëpo, Lasse Vibe dhe Pione Siso mbetet alternativa.

5. E majta e sulmit
Mungesa e Christian Eriksen mund të jetë fatkeqësia më e madhe për danezët, pasi ylli i Tottenham vështirë të zëvendësohet. Sidoqoftë, barra dhe presioni për këtë pozicion pritet të bie mbi shpatullat e Martin Braithwaite.

Top Channel