BSH: Formalizimi i ekonomisë do rrisë kreditimin

02/09/2015 00:00

Banka e Shqipërisë pret që ulja e informalitetit të pasqyrojë ndikojë pozitivisht në rritjen e kreditimit dhe gjallërimit të aktivitetit ekonomik në vend.

I pyetur se si do të ndikojë aksioni i qeverisë kundër informalitetit i ndërmarrë në shkallë vendi, Guvernatori i BSH-së, Genti Sejko veçoi dy drejtime kryesore.

“Do të ndikojë në ekonomi në përgjithësi, por veçanërisht në dy drejtime  kryesore. Në radhë të parë do të sillte shmangien e dy standardeve në bilancet e kompanive dhe kjo do të bënte që këto kompani të ishin më të mundshme për të marrë kredi nga bankat e nivelit të dytë. Një nga arsyet kryesore që bankat nuk japin kredi është informaliteti. Nëse biznesi nuk pasqyron të ardhurat reale, ka vështirësi për bankat dhe ndikim në vendimmarrjen për kredidhënien. Një formalizim do të rriste kreditimin nga bankat e nivelit të dytë. Nga ana tjetër, formaliteti do ndikonte në zhvillimin e tregjeve të kapitalit. Një nga elementët kryesore që ka ndikuar dhe ndikon në mungesën e këtyre tregjeve është informaliteti i lartë. Nëse kompanitë e mëdha e të vogla do të kishin biznese reale, tregjet do të kishin një mundësi më tepër për zhvillimin e ekonomisë”, tha Sejko.

Sipas Guvernatorit, informaliteti në shqipëri është në nivele të ekzagjeruara edhe në raport me vendet e tjera të rajonit. Sejko foli për një rritje të lehtë të kredisë, por jo në nivelet e pritshme. E njëjta gjë vlen edhe për investimet.

“Ka rritje graduale dhe e gjithë kjo situatë ka ardhur si pasojë e rreziqeve aktuale nga aktorët ndërkombëtarë dhe aktorët lokalë. Jemi në një situatë ekonomike, ku investimet  e huaja dhe të brendshme nuk janë në nivelet e pritshme”, tha ai.

Banka e Shqipërisë parashikon që inflacioni për 2015-n të jetë 1.9 përqind, ndërkohë që objektivi prej 3 përqind, parashikohet në vitin 2017. Guvernatori Sejko tha se ka një reduktim me 4.6 përqind të deficitit tregtarë, kryesisht nga eksporti i energjisë.

“Të dhënat fiskale të muajit korrik tregojnë një rritje të lehtë të të ardhurave dhe një ngadalësim të shpenzimeve publike. BSH pret vazhdimin e kahut konsolidues të politikës fiskale edhe në dy vitet e ardhshme”, tha Sejko.

Top Channel