William Collum, gjyqtar i ndeshjes Danimarkë-Shqipëri

02/09/2015 00:00

UEFA ka publikuar emrat e gjyqtarëve që do ndajnë drejtësinë në ndeshjet kualifikuese e Euro 2016 dhe skocezi William Collum do të jetë “bilbili” i sfidës mes Danimarkës dhe Shqipërisë.

Britaniku është një arbitër shumë i njohur dhe me përvojë në arenën europiane, ndërsa shquhet si një gjyqtar që nuk kursen kartonët.

Në finalen e Superkupës së Europës mes Barcelonës dhe Sevilla-s, ai nxorri 9 herë kartonin e verdhë.

Tifozët shqiptarë mund ta kujtojnë skocezin edhe në ndeshjet e Champions League të sezonit të kaluar, saktësisht në sfidat Juve-Atletico, Monaco-Juve, Bayern-Shakthar apo në ndeshjen “play-off” të këtij sezoni Basel-Maccabi.

Sfida e fundit në kualifikueset Euro 2016 në të cilën ka vendosur drejtësinë 36-vjeçari ka qenë ajo e 12 qershorit mes Islandës dhe Republikës Çeke që përfundoi me rezultatin 2-1 në favor të përfaqësueses nordike.

Asistentë të Collum në sfidën Danimarkë-Shqipëri do të jenë Damian Mac Graith dhe Francis Connor, ndërsa arbitër i katërt Alastair Mather.

Top Channel