Zjarr në Ersekë e Klos, shkrumbohen sipërfaqet pyjore

02/09/2015 00:00

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë një sipërfaqe pyjesh në fshatin Qafzez të Ersekës, duke djegur disa hektarë.

Sipas të dhënave të ofruara nga autoritetet lokale, bëhet fjalë për një sipërfaqe pyjore të përbërë nga drunj halorë.

Terreni i thyer malor në këtë zonë ka vështirësuar ndërhyrjen e zjarrfikësve, duke bërë që flakët të përhapen, të ndihmuara edhe nga era.

Megjithatë, punonjës të shumtë të Shërbimit Pyjor ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për vënien nën kontroll të zjarrit.

Vatra e parë u verifikua fillimisht ditën e martë, e cila është rindezur të mërkurën si pasojë e erës dhe ka djegur rrishtazi bimësinë.

Burime nga Inspektoriati Pyjor deklarojnë se janë marrë masa për të mos lejuar zgjerimin e hartës së zjarrit dhe shmangien e çdo rreziku, ndërsa më vonë do të punohet për evidentimin e dëmeve.

Ndërkohë, dhjetëra hektarë me pyje rezulton të jenë djegur edhe në masivin e Balgjajt, në Klos. Autoritetet lokale njoftojnë se situatë e rënduar nga zjarret paraqitet edhe në fshatin Bejnë.

Top Channel