PD, anëtare me të drejta të plota e PPE; Basha: Mbështetje kauzës së opozitës

02/09/2015 00:00

Partia Demokratike e Shqipërisë është pranuar këtë të mërkurë si anëtare me të drejta të plota e Partisë Popullore Europiane.

Kryetari Lulzim Basha e ka konsideruar këtë vendim si një vlerësim që vjen nga grupi më i fuqishëm politik i Bashkimit Europian.

“Është një vlerësim nga grupi më i fuqishëm i Bashkimit Europian. Partia Popullore numëron presidentin e Komisionit Europian, presidentin e Këshillit Europian, grupin më të madh parlamentar në PE dhe numrin më të madh të komisionerëve në Komisionin Europian. Pra, është një vlerësim nga grupi më i fuqishëm politik i Bashkimit Europian. Prej sot PD është anëtare me të drejta të plota i këtij bashkimi politik”, ka thënë Basha.

Së dyti, ky anëtarësim është sipas Bashës, një mbështetje për aksionin opozitar të PD kundër zhbërjes sipas tij të standardeve demokratike të shtetit ligjor, për luftën pa kompromis kundër inkriminimit të politikës dhe korrupsionit.

“Të gjitha këto janë shkaqet kryesore të krizës ekonomike, të thellimit të varfërisë, papunësisë dhe humbjes së perspektivës për shqiptarët, të cilët po largohen masivisht nga vendi. Pasoja këto që nuk janë më thjesht dhe brenda vendit, por që po ndihen edhe nga vendet anëtare të BE-së”, ka shtuar Basha.

Top Channel