Dukagjin, dita e dytë e aksionit antikanabis; mbi 42 mijë bimë të asgjësuara

02/09/2015 00:00

Policia e Shtetit ka njoftuar mbrëmjen e së mërkurës se ka përfunduar ditën e dytë të aksionit antikanabis në zonën e Dukagjinit.

Përmes një njoftimi për shtyp, autoritetet policore bëjnë me dije se janë asgjësuar mbi 140 parcela me rreth 42.600 bimë narkotike. Ndërsa në total, përfshirë ditën e djeshme, janë asgjësuar mbi 74 mijë e 200 bimë.

Aksioni është shtrirë në fshatrat Pult, Kasnec, Mgullë, Xhan, Pog, Plan, Gjurë, etj, saktësojnë më tej burimet. Ato shtojnë se në fshatin Xhan u arrestua shtetasi Lazër Kaptanaj nën akuzën e kultivimit të narkotikëve.

Në këtë operacion, gjatë të cilit nuk është shënuar asnjë incident, janë angazhuar rreth 400 forca të policisë, të RENEA-s dhe FNSH-së, në dispozicion të të cilave kanë qenë 60 autoblinda.

“Operacioni antikanabis do të vijojë me kontrollin e plotë të zonave të tjera të rrethit Shkodër, nga Policia e Shkodrës, e mbëshetur nga FNSH-ja e këtij qarku”, përfundon njoftimi për shtyp. 

Top Channel