Ndahet nga jeta akademiku kosovar Pajazit Nushi

02/09/2015 00:00

Të mërkurën pasdite, në moshën 82-vjeçare ka ndërruar jetë akademiku kosovar, Pajazit Nushi.

I ndjeri ishte një nga figurat më të spikatura në fushën e shkencës, të arsimit dhe të kulturës shqiptare, doktori i parë i shkencave psikologjike në Kosovë si dhe anëtar i rregullt e nënkryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

“Kjo është një humbje e madhe për familjen, Akademinë dhe shkencën, për kulturën shqiptare, për kolegët dhe miqtë nga Kosova dhe bota shqiptare”, thuhet në njoftimin e Akademisë së Shkencave të Kosovës.

Akademik Nushi lindi në Gjakovë në vitin 1933, ku kreu shkollën fillore dhe të mesme. U diplomua në drejtimin e Psikologjisë të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Beogradit në vitin 1955, ndërsa doktoroi në Universitetin e Prishtinës nga fusha e shkencave psikologjike.

I ndjeri sapo kishte botuar veprën, në dy vëllime, “Leksikoni i psikologjisë”. Për punën e tij shkencore, angazhimin shoqëror dhe kombëtar mori shumë mirënjohje dhe dekorata.

Mbledhja përkujtuese do të mbahet të enjten në orën 10:00, në ambientet e Akademisë së Shkencave të Kosovës, ndërsa në të njëjtin vend do të bëhen edhe homazhet nga ora 10:30.

Akademi përkujtimore dhe homazhet do të bëhen edhe në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë nga ora 14:00. Varrimi do të bëhet në varrezat e qytetit të Gjakovës ditën e njëjtë në orën 17:00.

Top Channel