Sulm me bomba në një xhami në Jemen, 28 të vrarë

02/09/2015 00:00

Të paktën 28 persona mbetën të vdekur dhe mbi 70 të tjerë u plagosën pas sulmeve me bomba në një xhami në kryeqytetin e Jemenit gjatë ditës së mërkurë.

Xhamia Al-Mo’ayyad, e cila ndodhet në lagjen el-Jarraf në kryeqytetin Sana që kontrollohet nga milicia Houthi, ka qenë edhe më parë objekt i sulmeve të militantëve të grupit terrorist të lidhur me Shtetin Islamik.

Agjencia e lajmeve “Saba”, e kontrolluar nga milicia Houthi, raportoi se fillimisht pati një sulm vetëvrasës. Menjëherë pas mbërritjes së grupeve mjekësore për t’i ardhur në ndihmë personave të plagosur, ndodhi një tjetër shpërthim i fuqishëm, këtë herë në një makinë.

Menjëherë përgjegjësia për sulmet është marrë përsipër nga dega e Shtetit Islamik në Jemen. 

Lufta civile në Jemen u përshkallëzua në muajin mars, kur koalicioni i shteteve arabe i udhëhequr nga Arabia Saudite nisi sulmet ajrore ndaj milicisë Houthi, aleate e Iranit, që kontrollon pjesën më të madhe të territorit të Jemenit.

Top Channel