Hetimet mbi vdekjen e Jaser Arafat, bie pista e helmimit me polonium

03/09/2015 00:00

Hetuesit francezë kanë rrëzuar pistën e helmimit për vdekjen e ish-udhëheqësit palestinez, Jaser Arafat.

Në deklaratën e lëshuar në orët e vona të së mërkurës thuhet se nuk ka pasur shenja të helmimit me polonium dhe për këtë arsye hetimet nuk mund të vazhdojnë. Ndërsa avokati ka argumentuar se  vdekja e Arafat në vitin 2004 ishte një vrasje politike. Ai tha për “Reuters” se do ta apelojë vendimin.

Jaser Arafat, i cili nënshkroi në vitin 1993 në Oslo marrëveshjen e përkohshme të paqes me Izraelin, vdiq në një spital francez katër javë pasi shfaqi probleme shëndetësore.

Bashkëshortja e ish-udhëheqësit palestinez pretendon se ai është helmuar, ndoshta me polonium. Dosja e vdekjes së tij në 2004-ën shënon zyrtarisht si arsye të vdekjes goditjen cerebrale, pasojë e çrregullimit të gjakut. Pretendimet që ai ishte eliminuar nuk reshtën asnjëherë, ato u bënë shkak që në vitin 2012 trupi i Arafat të zhvarrosej dhe t’i nënshtrohej ekzaminimeve të mëtejshme.

Pas zhvarrimit, televizioni satelitor i Katarit “Al Jazeera” arriti të siguronte raportin mjekoligjor të një ekipi specialistësh zviceranë, ku thuhej se analizat e kryera treguan një aktivitet të papritur e tepër të lartë poloniumi, që në mënyrë të përmbajtur mbështeste teorinë e helmimit. Megjithatë tashmë kjo pistë hetimi është rrëzuar.

Shumë palestinezë e të tjerë veç tyre kanë besuar për një kohë të gjatë se Arafatin e helmoi Izraeli. Të tjerë zëra pretendojnë se ishte i sëmurë me sida apo kancer. Vet shteti hebre ka mohuar me forcë çdo përfshirje në vdekjen e njeriut që drejtoi për 35 vjet Organizatën për Çlirimin e Palestinës dhe që në 1996 u kthye në presidentin e parë të autoritetit Palestinez.

Top Channel