Hungari, hapet stacioni hekurudhor i Budapestit; emigrantët mësyjnë vagonët

03/09/2015 00:00

Autoritetet në Hungari kanë hapur mëngjesin e së enjtes stacionin hekurudhor të Budapestit, ku ndodhen të vendosur qindra emigrantë, të cilët kanë vërshuar për të mbushur vagonët.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat ndërkombëtare. Rihapja e stacionit vjen pas dy ditë protesta të refugjatëve nga Siria e Iraku, të cilët u përballën edhe me forcat e policisë.

Megjithatë, autoritetet kanë njoftuar se trenat e linjave ndërkombëtare për në vendet e Europës Perëndimore do të mbeten të pezulluar për një kohë të pacaktuar.

Kryeministri hungarez Viktor Orban, i cili po zhvillon një vizitë në Bruksel pikërisht për problemin e emigrantëve, ka deklaruar se, askush nuk do të mund të lërë vendin pa u regjistruar.

Qindra emigrantë protestuan dje për të dytën ditë rresht ndaj vendimit të qeverisë hungareze për t’u ndaluar atyre udhëtimin drejt Gjermanisë dhe vendeve të tjera të BE-së.

Në stacionin hekurudhor të Keletit në Budapest ndodhen rreth 2 mijë persona të cilët kanë blerë bileta për të udhëtuar më tej, por që janë detyruar të ngrenë çadra.

Qindra prej tyre manifestuan pakënaqësinë duke bërtitur “Liri, liri” dhe duke valëvitur biletat e trenit, duke thënë se kishin paguar qindra euro për të udhëtuar.

Sipas gazetarëve që ndodheshin në vendin e ngjarjes, tensionet ishin të larta, pasi klandestinët janë përfshirë në një përballje me trupat e policisë.

FOTO GALERI
1/10

Top Channel