Gjermania, Marco Reus do të mungojë ndaj Polonisë dhe Skocisë

03/09/2015 00:00

Gjermanisë do t’i duhet të bëjë pa shërbimin e Marco Reus në ndeshjet e saj të eliminatoreve ndaj Polonisë dhe Skocisë. Mesfushori i Borusias së Dortmundit pësoi një dëmtim në gishtin e madh të këmbës gjatë ndeshjes së fundjavës me Hertën e Berlinit, megjithatë ai u grumbullua me skuadrën përfaqësuese.

Por, mesa duket, Reus e ka patur të vështirë të vijojë përgatitjet dhe sipas një komunikate të lëshuar nga Federata Gjermane e Futbollit (DFB), është kthyer në Dortmund për të vijuar kurimin e tij.

Marco Reus nuk ka luajtur me kombëtaren gjermane që nga shtatori i kaluar, kur Gjermania fitoi ndaj Skocisë 2-1. Ai nuk ishte në dispozicion as gjatë Botërorit të Brazilit, ku skuadra gjermane arriti të fitojë titullin pasi mundi Argjentinën në finale.

Në eliminatoret për Evropianin e Francës, Gjermania është në Grupin D dhe pozicionohet në vendin e dytë me 13 pikë, ndërkohë që vendi i parë mbahet pikërisht nga Polonia me 14.

Top Channel