Xhiro e Spanjës, Mikel Landa fiton etapën e 11

03/09/2015 00:00

Mikel Landa është fituesi i etapës së 11 të Xhiros së Spanjës. Çiklisti i Astanës arriti të fitojë këtë etapë e cilësuar si më e vështira e këtij aktiviteti, me kohën 4 orë 34 minuta e 54 sekonda. Në vendin e dytë u rendit shoku i tij i skuadrës, Fabio Aru, me 1 minutë e 22 sekonda më shumë, ndërsa vendi i tretë i takoi Ian Bosuell të skuadrës Sky.

Problemet dhe kaosi nuk munguan në këtë etapë të 11 të Xhiros së Spanjës. Chris Froome, i cili pretendonte fitoren e kësaj ngjarjeje të rëndësishme, ka njoftuar tërheqjen e tij nga Vuelta. Britaniku u bë protagonist i një rrëzimi pak minuta pasi gara kishte nisur në Andorra la Veja. Sipas drejtuesve të Sky, britaniku pësoi dëmtim në këmbë, gju dhe shpatull.

Nuk shkuan më mirë gjërat as për skuadrën Tinkoff. Sergio Paulinho u përplas nga një motoçikletë, ashtu sikurse ndodhi edhe me Peter Sagan. Kjo ka acaruar së tepërmi pronarin e kësaj skuadre, Oleg Tinkoff, i cili kërcënoi organizatorët me tërheqje të skuadrës së tij nga Vuelta.

Pas përfundimit të etapës së 11, renditja e përgjithshme sheh një tjetër çiklist kryesues dhe ai është italiani Aru me kohën 43 orë 12 minuta e 19 sekonda, i ndjekur nga Joaquim Rodrigeus me 27 sekonda më shumë dhe Tom Dumoulin me 30 sekonda më shumë.

Top Channel