Orban: Refugjatët po minojnë rrënjët ortodokse të Europës

03/09/2015 00:00

Kryeministri hungarez, Viktor Orban ndodhet në Bruksel për bisedime mbi çështjen e azilkërkuesve. Ai tha se kontrolli i kufijve ishte tema numër 1 e diskutimeve të zhvilluara.

“Hungarezët janë të trembur. Njerëzit në mbarë Europën janë të trembur, sepse e shohin se liderët europianë, mes tyre kryeministrat, nuk janë në gjendje të kontrollojnë situatën”, tha Orban.

Në një konferencë të tensionuar shtypi me Presidentin e Parlamentit Europian, Martin Schulz, shefi i qeverisë hungareze tha gjithashtu se, “kriza e emigrantëve është një problem gjerman”.

“Askush nga ata nuk dëshiron të qëndrojë në Hungari. Detyra jonë është vetëm t’i regjistrojmë ata”, theksoi Orban.

Më herët kryeministri shkroi një opinion të publikuar të enjten në të përditshmen gjermane “Frankfurt Allgemeine Zeitung”, ku thotë se vendi i tij po pushtohet nga refugjatët që kërcënojnë të minojnë rrënjët ortodokse të kontinentit të vjetër.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Luksemburgut, që kryeson dhe presidencën e radhës të BE-së dhe që do të drejtojë një takim të posaçëm më 14 shtator, bëri thirrje për krijimin e një agjencie europiane për refugjatët, me zyrtarë europianë të vendosur në kufijtë e vendeve të përfshira nga kriza. 

Top Channel