Roskovec, digjet shtëpia; familja 5-anëtarëshe në qiell të hapur

03/09/2015 00:00

Një familje prej 5 anëtarësh në Roskovec, që prej ditës së djeshme jeton në qiell të hapur. Një zjarr i fuqishëm përfshiu banesën e saj si rzultat i shpërthimit të një bombole Gazi.

Banesa është pronë e shtetasit Neim Spahiu, banues në fshatin Strum të Roskovecit. Ai tregon se në momentin që po piqej buka në sobë, në tubin e saj rridhte gaz dhe pikërisht nga nxehja e tepërt bombola e gazit ka shpërthyer.

Në momentin e shpërthimit, vajzat e zotit Spahiu kanë qenë në njërën prej dhomave të shtëpisë. Klithmat e tyre janë dëgjuar nga komshinjtë, të cilët kanë ndihmuar vajzat për të dalë me shpejtësi nga banesa.

Ndërkaq, zjarri ka përfshirë të katër dhomat e shtëpisë dhe një kuzhinë dhe në pak minuta gjithçka është shkrumbuar, deri në rrëzimin e çatisë. Fqinjët kanë njoftuar edhe zjarrfikësit, por edhe pse ata mbërritën shpejt nuk mundën të shpëtonin shtëpinë.

Neim Spaho dhe bashkëshortja e tij shprehen se, në kushtet e krijuara i bëjnë thirje bashkisë për t’i ndihmuar, pasi ndodhen në qiell të hapur dhe nuk mund të banojnë në shtëpinë e shkrumbuar.

“Dëmet janë të pallogaritshme, puna dhe djersa e shumë viteve, si dhe disa dokumenta të shtëpisë janë djegur. E vetmja shpresë është ndërhyrja e bashkisë. Të paktën të na ndihmojë me një çadër sa të fusim kokën”, thotë kryetari i familjes.

Ndërkohë, kryetarja e Bashkisë së Roskovecit, Majlinda Bufi është vënë në dijeni të ngjarjes dhe ka dërguar një grup pune për të parë nga afër situatën dhe pas mbikëqyrjes, siç tha ajo, familjes do t’i jepet ndihma.

Top Channel