Gropat që “përpijnë” tokën

03/09/2015 00:00

Shembja e papritur e tokës pranë një stacioni autobuzi në Kinë u pasqyrua në mjaft media të huaja dy ditë më parë. Katër vetë u zhytën në gropën e hapur papritur poshtë këmbëve të tyre. Njerëzit rreth e rrotull nxituan t’i ndihmonin e t’i nxirrnin prej andej dhe incidenti për ta u mbyll me disa plagë të lehta.

Por Kina nuk është i vetmi vend që regjistron episode të tilla me material të mjaftueshëm për makthe të tmerrshme. Një sërë gropash janë shfaqur në një pikë turistike të Izraelit, pasojë siç thuhet e tkurrjes së Detit të Vdekur. Ujrat e tij po tërhiqen me më tepër se një metër në vit dhe gropat, disa nga të cilat në përmasat e një fushe basketbolli, janë duke gllabëruar tokën përgjatë bregdetit.

Një vrimë e ngjashme në Nju Jork në 5 gusht çoi në ndalimin e menjëhershëm të trafikut kur ishte në pikun e tij. Zgavra nëntokësore në një kryqëzim të Bruklinit ishte e madhe mjaftueshëm sa për të “gëlltitur” një makinë. Sipas CBS New York, shkak i fenomenit mund të jetë bërë çarja e tubacionit kryesor të ujit në zonë. Marsin e këtij viti, pasagjerët e një autobuzi në Brazil duhet të jenë frikësuar shumë kur i detyruan të dalin me urgjencë nga mjeti pak përpara se të zhytej në gropën e hapur në rrugën ku po kalonte.

Autoritetet sqaruan se zona kishte përjetuar periudha të gjata shirash të rrëmbyer. Tetë makina të rralla sportive për pak sa nuk u zhdukën përgjithmonë nga hapja e një vrime në tokë, që shkaktoi shembjen e pjesshme të muzeut Nation Corvette në Kentaki shkurtin e vitit të kaluar. Në ndërtesë nuk kishte njeri, por një ZR-1 Spyder i 1993-shit dhe nje ZR1 Blue Devil e 2009-s, të huazuara prej General Motors, u dëmtuan keqas.

Top Channel