Bie numri i azilantëve nga Ballkani, Gjermania: Ndikim edhe qeveritë vendase

03/09/2015 00:00

Numri i azilkërkuesve me prejardhje nga vendet e Ballkanit dhe që kërkojnë azil në Gjermani ka rënë ndjeshëm, në krahasim me të dhënat e muajit korrik.

Lajmin e bën të ditur një e përditshme gjermane, që u referohet të dhënave statistikore të Ministrisë së Brendshme, sipas të cilave në javën e fundit të muajit gusht, të ardhurit nga vendet e Ballkanit ishin 2586, kur vetëm gjatë javës së dytë të korrikut shkuan atje 5445 persona.

Kjo do të thotë – vijon artikulli, – që për një kohë të shkurtër numri i azilkërkuesve ballkanas është përgjysmuar, por nuk nënkupton që Gjermania është vend më pak i preferuar për refugjatët, numri i të cilëve shtohet nga dita në ditë.

Sipas të dhënave, tashmë azilkërkuesit nga vendet e Ballkanit Perëndimor përbëjnë vetëm 10%, kur në korrik përbënin 30% të atyre që shkonin në Gjermani. Arsyeja e këtij fakti pozitiv mendohet të jetë fushata paralajmëruese që ndërmori Gjermania, duke u lënë azilkërkuesve nga Ballkani të kuptonin se shteti gjerman nuk do të pranonte kërkesat e banorëve të ardhur prej andej.

Këtë gjë e bëri nëpërmjet spoteve publicitare të shpërndara në rrjetet sociale në Shqipëri dhe Serbi. Por një rol të rëndësishëm – vlerëson artikulli, – kanë pasur edhe qeveritë e vendeve përkatëse. Ata kanë ndjekur politika frenimi për qytetarët e tyre.

Top Channel