De Biasi: Një fitore në Danimarkë do të na motivonte për sfidën me Portugalinë

03/09/2015 00:00

Kombëtarja vazhdon përgatitjet për dy sfidat kualifikuese të Euro 2016. Trajneri Gianni de Biasi këmbëngul që të marrë maksimumin nga këto përballje, por thotë se ndeshjet duhet të merren me radhë.

“Para së gjithash jemi përqendruar vetëm te ndeshja e radhës me Danimarkën. Në këndvështrimin tim, të mendosh edhe për ndeshjen tjetër do të thotë të shpenzosh energji. Mendoj se në këto momente gjëja më e mirë është të mendojmë vetëm për ndeshjen me Danimarkën, ekipin që do të hedhim në fushë dhe të provojmë të marrim pikë në Kopenhagen. Nëse arrijmë rezultat pozitiv atje, edhe pse koha në dispozicion mbetet e shkurtër, do të kemi një forcë të brendshme për t’u përballur më pas me skuadrën e udhëhequr nga Cristiano Ronaldo”, deklaroi ai për mikrofonin e Digitalb.

Seancat stërvitore janë përjcellë edhe nga një numër i konsiderueshëm tifozësh, të cilët, sipas De Biasi-t, mund t’i ndihmojë futbollistët në prag të sfidës me Danimarkën.

“Besoj se njerëzit që jetojnë larg atdheut, të transmetojnë një entuziazëm të jashtëzakonshëm dhe të bëjnë të ndihesh pjesë e diçkaje të papërshkrueshme kur shohin nga afër idhujt e tyre. Edhe nga pikëpamja morale, kjo mund t’i ndihmojë futboillistët që të përballen edhe me më tepër vendosmëri në sfidën e vështirë me Danimarkën”, u shpreh trajneri italian.

Shqipërua luan edhe për 12 pikë, që për De Biasi-n, janë shumë të vështira për t’u marrë, po ai nuk pëlqen të bëjë llogari për kualifikimin, duke shtuar se nëse luajmë si ekip dhe minimizojmë gabimet, atëherë gjithçka mund të ndodhë.

“Është e vështirë të thuash sa pikë na nevojiten për kualifikimin. Kemi edhe 12 pikë në dispozicion, por nuk është e lehtë t’i marrim të gjitha. Të premten na pret një ndeshje delikate, me një kundërshtar si Danimarka, që ka grumbulluar aq pikë sa ne, por me një ndeshje më tepër. Duhet të paraqitemi ashtu siç kemi bërë gjithmonë. T’i marrim ndeshjet me radhë, të provojmë shanset tona, duke e respektuar rivalin, por të vetëdijshëm për faktin se nëse luajmë si ekip dhe nuk gabojmë, mund t’i krjojmë vështirësi danezëve”, vazhdoi ai.

Sidoqoftë, De Biasi nuk është aspak i lumtur me situatën e disa prje futbollistëve të Kombëtares, të cilët kanë kohë pa luajtur me skuadrat e tyre.

Ndërkohë, sa i përket aktivizimit të Elseid Hysajt, italiani u shpreh se nuk dëshiron ta rrezikojë mbrojtësin edhe pse synohet rikuperimi për sfidën me Portugalinë.

Top Channel