U21, Shqipëria barazon 1-1 me Izraelin. Jupi: Këta janë e ardhmja e Kombëtares A

03/09/2015 00:00

Redi Jupi e nisi me një barazim, aventurën e tij si trajner i kombëtares shqiptare U21. Edhe pse luajtën për shumë minuta me 10 lojtarë, kuqezinjtë arritën të tregonin karakter dhe të barazonin 1-1 me përfaqësuesen e Izraelit, e cila është një nga dy skuadrat pretendente nga grupi 4, për t’u kualifikuar drejtpërdrejt në “Euro 2017” për këtë grupmoshë.

“Kemi punuar shumë mirë gjatë këtyre ditëve dhe, të them të drejtën, më vjen shumë mirë që gjithë ajo punë e mirë e bërë u realizua nga lojtarët në fushë. Talenti i tyre është i padiskutueshëm. Ishim me 10 lojtarë ndaj një skuadre si Izraeli, që është me të vërtetë shumë e mirë, dhe barazuam por edhe mund ta kthenim rezultatin. Këtu ka lojtarë shumë cilësorë. Pavarësisht se çfarë rezultatesh do të kemi me ekipin U21, të jeni të sigurtë që këta janë e ardhmja e Kombëtares së Shqipërisë”, tha Redi Jupi.

Tentativat e njëpasnjëshme të izraelitëve për të kaluar në avantazh u shpërblyen në minutën e 29, kur Hugi përfitoi nga një çorientim i mbrojtjes sonë dhe mposhti Strakoshën. Duke mos mjaftuar goli i pësuar, në fillimin e së dytës Albion Avdijaj u ndëshkua me të kuq, duke lënë përfaqësuesen tonë me 10 lojtarë. U mendua se, pas këtij momenti izraelitët do të synonin thellimin e rezultatin, por ndodhi e kundërta. Ishin kuqezinjtë, ata që filluan të kontrollonin lojën. Këmbëngulja e Rashicës në minutën e 83-të dha rezultatin e shumëpritur. Sulmuesi shqiptar nga Kosova fitoi një 11-metërsh, që u shndërrua në gol nga Endri Çekiçi.

Pas këtij rezultati, Shqipëria U21 ngjitet në vendin e dytë në kuotën e 4 pikëve, po aq sa Izraeli, i cili falë golavarazhit mban vendin e parë në grupin 4. Pas 5 ditësh, përfaqësuesja e Redi Jupit do të ketë një tjetër ndeshje të vështirë, pasi do të luajë përballë Portugalisë, finalistes së Europianit të kaluar të kësaj grupmoshe.

Top Channel