Marrëveshja bërthamore, Khamenei del në favor të votimit në Parlament

03/09/2015 00:00

Udhëheqësi suprem i Iranit ka bërë të ditur këtë të enjte se është pro votimit parlamentar të marrëveshjes bërthamore të nënshkruar me fuqitë botërore, por bëri thirrje që sanksionet ndaj Teheranit të hiqen tërësisht, e jo të pezullohen për një afat kohor. Lajmi raportohet nga televizioni shtetëror.

Presidenti Hassan Rouhani, një pragmatist, zgjedhja e të cilti në 2013-n i hapi rrugë bashkëpunimit diplomatik me Perëndimin, si dhe aleatët e tij kanë kundërshtuar një votim parlamentar, duke argumentuar se ky hap do të krijonte detyrime ligjore që do të komplikonin implementimin e marrëveshjes.

“Parlamenti nuk duhet anashkaluar në çështjen e marrëveshjes bërthamore. Nuk po them që ligjvënësit duhet të ratifikojnë apo refuzojnë marrëveshjen, kjo gjë është në duart e tyre”, tha Ajatollah Ali Khamenei, i cili gjithsesi do të ketë fjalën e fundit në këtë vendimmarrje, ashtu sikurse në të gjitha politikat shtetërore në Iran.

“I kam thënë Presidentit se, nuk është në interesin tonë që të mos u lejojmë ligjvënësve të rishikojnë këtë marrëveshje”, tha kleriku më i lartë i Republikës Islamike, gjatë një fjalimi të transmetuar drejtpërdrejt në televizionin shtetëror.

Khamenei, nga ana e tij, nuk është shprehur ende publikisht, nëse e miraton apo e kundërshton akordin e Vjenës, por është mjaftuar vetëm me lavdërimin e punës së bërë nga ekipi negociator i Iranit në këto bisedime.

Një komitet special i Parlamentit, ku konservatorët e linjës së ashpër të Khameneit janë dominues, ka nisur rishikimin e kësaj marrëveshjeje përpara se ta hedhin atë për votim. Por, qeveria e Rouhanit ende nuk ka përgatirur ndonjë projektligj, për të cilin të votojë Parlamenti.

Top Channel