MH370, Franca konfirmon: Krahu korrespondon me Boeing-un malajzian

03/09/2015 00:00

Mbetjet e krahut të avionit, që u gjetën pranë brigjeve të ishullit Reunion në oqeanin Indian, janë identifikuar edhe zyrtarisht si pjesë e avionit malajzian të fluturimit MH370 të “Malaysian Airlines”.

Lajmi është zyrtarizuar nga prokurori i Parisit gjatë kësaj të enjteje. Pjesa e krahut, e njohur si balancuese e ajrit gjatë fluturimit (flaperon), u gjet në brigjet e ishullit të kontrolluar prej Francës më 29 korrik dhe autoritetet malajziane deklaruan menjëherë se ngjyrat dhe punimet e tij përkonin me ato të avionit Boeing 777, që ishte zhdukur më shumë se një vit më parë.

Prokurori francez, i cili deri përpara deklaratës së të enjtes ka qenë tepër i kujdesshëm mbi prejardhjen e mbetjes së gjetur, tha se një teknik i një kompanie të Airbus-it (ADS-SAU) në Spanjë, i cili ka prodhuar pjesë për Boeing, e kishte identifikuar numrin serial të mbetjes e ai përkonte me Boeingun e MH370-s.

“Tashmë është e mundur të konfirmojmë me siguri se ‘flaperoni’ i gjetur në ishullin Reunion më 29 korrik korrespondon me atë të fluturimit MH370”, tha prokurori gjatë një deklarate. Avioni u zhduk në mars të vitit të kaluar, teksa ishte duke udhëtuar nga Kuala Lumpur drejt Pekinit me 239 pasagjerë në bord, përfshi edhe ekuipazhin, shumica e të cilëve kinezë.

Top Channel