Maqedoni, rritet fluksi i refugjatëve. Ambasadori britanik: Rrezikohet siguria në Ballkan

03/09/2015 00:00

Fluksi i refugjatëve, që hyjnë në Maqedoni nga Greqia, po shënon rritje ditë pas dite. Ambasadori britanik në Shkup, Charles Garrett tha se, kriza e emigrantëve është çështje me përmasa ndërkombëtare dhe – sipas tij, – migrimi ilegal paraqet një kërcënim në rritje për sigurinë e Ballkanit Perëndimor.

Ai bëri të ditur se, Ambasada e Britanisë së Madhe në Maqedoni, në bashkëpunim me Qendrën Rajonale për Emigrantët do të angazhojnë përkthyes, të cilët do të ndihmojnë autoritetet për identifikimin e refugjatëve ilegalë.

“Migrimi ilegal është një çështje me shumë prioritet për Europën në këto momente. Ky është një problem ndërkombëtar, që nuk lë pa prekur asnjë vend të Europës, përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor e Maqedoninë. Përballja me efektivitet me migracionin kërkon, para së gjithash, komunikim me njerëzit që udhëtojnë nga vende të ndryshme. Prandaj, ky projekt që prezantuam sot do të mundësojë përmirësimin e komunikimit dhe do të ndihmojë në identifikimin më lehtësisht të emigrantëve ilegalë. Ky është një kontribut i vogël, por që besoj se do të ketë efekt”, tha Charles Garrett, ambasador i Britanisë së Madhe në Shkup.

Ndërkohë, sipas të dhënave të fundit të UNHCR-së, brenda 24 orëve të fundit në Maqedoni kanë hyrë rreth 3500 emigrantë, të cilët më pas janë transportuar drejt kufirit me Serbinë me 5 trena. Që nga fillimi i krizës, rreth 60 mijë emigrantë kanë kaluar tranzit nëpër Maqedoni.

Top Channel