Hoffman: Punoni për ndërtimin e vendit, jo stërkëmbësha njëri-tjetrit

03/09/2015 00:00

Helmut Hoffman, ambasador i Gjermanisë në Shqipëri, në një intervistë për portalin online Javanews, çështjen e azilkërkuesve e quan atë një situatë dramatike dhe të paprecedentë me mbërritjen e rreth 800 mijë emigrantëve, prej të cilëve 40 përqind janë nga Ballkani.

Por a po bëjnë sa duhet autoritetet shqiptare për ta minimizuar këtë valë azilkërkimi në Gjermani?
   
“Është mjaft e rëndësishme që kjo çeshtje të trajtohet në opinionin publik shqiptar, pse largohen shqiptarët? Cilat janë arsyet që i shtyjnë ata të marrin këtë vendim? Kjo është diçka që po ndodh pak në politikën shqiptare, po ndodh pak në shoqërinë shqiptare. Unë mendoj se nëse të gjitha forcat politike do të përqëndronin energjinë e tyre në ndërtimin e vendit dhe më pak në vënien e stërkëmbëshave në mënyrë reciproke njëri-tjetrit dhe nëse do përqëndroheshin në ndërtimin e shtetit ligjor, do të isha mjaft optimist që Shqipëria do të kishte një perspektivë mjaft të mirë”, thotë Hoffman.
Pyetjes në lidhje me deklarimin e kryeministrit Rama se janë shqiptarë nga Greqia që shkojnë në Gjermani, ambasadori iu përgjigj:

“Përshtypja e kryeministrit është e drejtë në një farë mase. Ka shqiptarë që jetojnë për një farë kohe të gjatë në Greqi dhe për arsye ekonomike kanë vendosur të marrin rrugën e emigrimit drejt Gjermanisë. Por ka dhe shumë indicie, që shumë e shumë shqiptarë largohen nga Shqipëria në drejtim të Gjermanisë, ndaj mendoj që është mjaft e dobishme që çështja e emigrantëve shqiptarë në drejtim të Gjermanisë të bëhet objekt i diskutimit publik”, shprehet ai.

Ambasadori gjerman komenton edhe reformën në drejtësi.

“Të them të drejtën, nuk i kam patur plotësisht të qarta arsyet pse opozita deri më tani kishte qëndruar larg këtij projekti. E rëndësishme është që shumica parlamentare dhe pakica të mund të përballen me njëra-tjetrën në përpjekjen e tyre të përbashkët për të gjetur zgjidhjen më të mirë të mundshme. Nuk duhet që kjo reformë të ketë as pamjen ku një shumicë parlamentare kërkon patjetër të arrijë qëllimet e veta dhe t’i dalë në fund reformës, dhe as nuk duhet të ketë pamjen ku një opozitë të besojë se konsensus do të thotë që anija e fundit e një vargu anijesh, është ajo që përcakton edhe ritmin e këtij karvani”, deklaron Hoffman.

“Më pak filozofi dhe më shumë punë për integrimin europian”, këshillon ambasadori i pyetur për deklaratat e Ramës se Europa po lodhet me zgjerimin.

“Lidhur me çeshtjen e lodhjes nga zgjerimi, të përmendur nga Rama, unë mendoj se jam shumë i qartë lidhur me faktin se Shqipëria ka interes në përshpejtimin e hapave të këtij procesi, por edhe shtetet anëtare të BE janë po kaq të interësuara që kandidatët për anëtarësim të arrijnë pjekurinë e nevojshme për t’u anëtarësuar. Nuk jam aq i bindur lidhur me nevojën e të filozofuarit mbi lodhjen nga zgjerimi. Do ta konsideroja shumë të rëndësishme të treguarit kujdes ndaj të gjitha atyre proceseve që do ta bënin një shtet kandidat të pjekur”, deklaroi ambasadori Hoffman.

Top Channel