Dje, shitësja e furrës së bukës më dha kuponin tatimor, por…

03/09/2015 00:00

Nga Mustafa Nano – Dje, për herë të parë, shitësja e bukës më futi kuponin tatimor në qesen plastike. Ishte një gjest që ajo nuk e kishte bërë ndonjëherë më parë. As unë nuk kisha këmbëngulur që të merrja prej saj një kupon tatimor. Deri më sot e kam bërë këtë gjë veç me shitësit e karburantit. Këta të fundit nuk kanë pasur as dëshirën më të vogël për t’ma dhënë atë dëftesë tatimore, por unë ua kam marrë me zor.

“Dua kuponin”, u kam thënë, pasi më kanë hedhur naftën në serbator. Një pjesë e madhe e tyre janë kapur në befasi prej kërkesës sime, por e kanë mbledhur veten shumë shpejt, dhe ma kanë ofruar atë që u kam kërkuar. Nuk është se kuponi më është dashur për ndonjë rimbursim të mundshëm. Jo, e kam hedhur në kosh me ta marrë. Thjesht nuk më ka pëlqyer ideja që pronarët e distributorëve të karburantit të fusnin në xhepat e tyre, tok me fitimin, edhe një pjesë parash që normalisht do duhej të shkonin në arkën e shtetit.

Përsëris: nuk e di pse nuk e kam bërë këtë gjë edhe me shitës të tjerë. Ndoshta ngaqë në vetëdijen time pronarët e karburanteve janë evazorë të mëdhenj e të pangopur (ka legjenda urbane që më kanë bërë ta besoj këtë nam të tyre). Por e vërteta është se evazioni fiskal, sidomos ai që është bërë nëpërmjet fshehjes së kuponit tatimor, ka qenë e është një sport popullor në Shqipëri.

Më thoshte dikush që kishte blerë një apartament të ri dhe që e kish arreduar atë nga fillimi deri në fund (shpenzimet i kishin shkuar deri në 30 mijë euro), se më shumë se 70% të blerjeve, porosive e shërbimeve që kish bërë ishin jashtë sistemit tatimor. Bojaxhiu, pllakashtruesi, elektricisti, marangozi, tendëbërësi, instaluesi i sistemit të kondicionimit, instaluesi i panelit diellor, instaluesi i shërbimit televiziv, por edhe një mori shitësish të tjerë që ofrojnë mallra e shërbime në lokale e magazina të mëdha thjesht bëjnë punën, marrin lekët, dhe çdo gjë mbyllet me një operacion financiar të kryer si në kohët primitive, kur nuk njiheshin detyrime ndaj një entiteti shtetëror, që në këmbim të merrte përsipër, si në ditët e sotme, të ofronte (ku në teori e ku në praktikë) rregull, rend, siguri, mbrojtje prone, zgjidhje konfliktesh, shërbime publike, pensione për një moshë të thyer etj., etj. Edhe ai 30%-ëshi tjetër i blerjeve nuk është e thënë që të jetë shoqëruar gjithnjë me kupon të vërtetë tatimor. I kishin dhënë një dëftesë në dorë, por nuk është çudi që ajo dëftesë të ketë qenë një dokument kompjuterik që u vlen shitësve e pronarëve për të mbajtur bilancet e tyre (për shembull, ajo copa e letrës që kamerierët e bareve e restoranteve na kanë sjellë gjithë kohën para se të çohemi nga tryeza ka qenë rëndom me këtë funksion; nuk ka qenë kupon tatimor).

Shkurt, në Shqipëri kemi jetuar në një laissez-faire të skajshëm. Veçse të kuptohemi, kjo nuk ka ndodhur për një parapëlqim ideologjik të tipit konservator (konservatorëve ua ka qejfi që ta thjeshtojnë e minimizojnë rolin e strukturave qeveritare e shtetërore në transaksionet financiare mes privatëve). Kjo ka ndodhur për një mentalitet “yrrja-byrrja” që ka karakterizuar qeverisjet e derisotme. E prandaj, nisma e fundit e qeverisë “Rama” është një gjë që duhet përshëndetur e mbështetur. Ka plot dyshime, me të cilat mund ta kushtëzonim këtë mbështetje, por do të ishte e vështirë, madje absurde, ta kundërshtoje këtë nismë në parim.

Me që fola për dyshime, po mbetem te ndonjëri sosh. Do jetë në gjendje qeveria që këtë aksion ta mbajë larg frymëzimeve klienteliste e politike? E ka qeveria këtë vullnet? Nëse ka një gjë që i komprometon aksione të tilla, kjo gjë është logjika selektive e goditjes. Kjo qeveri e ka një përvojë në të mirë e në të keq edhe në këtë drejtim. Të gjitha aksionet e kësaj natyre të ndërmarra deri më sot (dhe nuk është një e dy: beteja e pasosshme, dhe ende e pafituar, me drogën, prishja e ndërtimeve pa leje, beteja me universitetet që shisnin diploma, aksioni kundër atyre që nuk paguanin energjinë elektrike etj., etj) janë njollosur, kur janë njollosur, nga frymëzimi klientelist. Prishja e ndërtimeve pa leje në zonat urbane, fjala vjen, ishte një nismë që entuziazmoi shumë njerëz, por lajmet se diku bëhet një sy qorr e një vesh shurdh e shfrynin këtë entuziazëm. Kur aksione të tilla nuk kursejnë askënd, edhe vetë kundërvajtësit mbeten të kënaqur. Në të kundërt, kur informaliteti goditet në mënyrë selektive, të parët që mbeten të pakënaqur janë qytetarët e rregullt e bizneset formale. Këta të fundit, që janë pjesa më e mirë e më e shëndetshme e ekonomisë së një vendi, nuk kënaqen kur shohin që goditet një biznesmen i caktuar informal; ata kënaqen kur goditet informaliteti në tërësi.

Tjetër. Nuk duhet të kemi iluzione se kjo nismë do të japë fryte aty për aty. Edhe sikur të materializohej nga një skuadër engjëjsh, ajo nuk do të jepte frute të menjëhershme. Madje, në një plan afatshkurtër, mund të bëjë të kundërtën, mund t’i japë një goditje tjetër ekonomisë sonë që boll e goditur është, pavarësisht mburravecërive të Kryeministrit që flet, në stilin e paraardhësit të vet, për suksese e arritje ekonomike. Por është e sigurt se në një plan afatgjatë do të kemi veç mirë. Nuk e kam fjalën për arkën e shtetit; kjo nuk është çudi që të mbushet me më shumë para në harkun e pak muajve. Jo, e kam fjalën tek ekonomia në tërësi, që lipset të marrë një momentum. Nisma të tilla nuk e kanë këtë funksion në një plan afatshkurtër.

Më tej. Do të ishte e pakuptueshme dhe qesharake, nëse kjo nismë do të shtrihej edhe te biznese të vogla në periferi të Tiranës, ndoshta edhe në qendër, në të cilat nxjerrin bukën e gojës një a dy vetë (fjala vjen një bar i thjeshtë, një lokal bilardoje, një kioskë që shet paketa, stilolapsa, gazeta, libra etj). Të merresh me ta, do të ishte njësoj si t’u kërkoje kasë fiskale edhe shitësve të fiksuar në trotuare, apo më keq akoma, pramatarëve, lypësve në kryqëzime rrugësh, grave që të pastrojnë me hir, me pahir xhamat e makinave, atyre që gërmojnë në kazanët e plehrave, romëve që vijnë vërdallë me biçikleta të motorizuara, kurvave të natës, atyre që nxjerrin ndonjë lek “duke dhënë me qira” vende parkimi në rrugët e Tiranës (vetëm një mendje kreative shqiptare mund të shpikë një punë të tillë për t’u ushqyer; e duhet t’u japësh se s’bën ndonjë lek, ndryshe ta gërvishtin makinën).

E fundit. Lidhja që Kryeministri i bëri patriotizmit me motivimin policor e civik të njerëzve është një gjetje interesante, por do të ishte e kotë që suksesin e kësaj nisme ta bazoje te ky edukim qytetar. Një edukim i tillë do vite që të arrihet, e për këtë nuk mjafton qasja didaskalike e qeverisë. Deri atëherë, suksesin mund ta garantojë vetëm një administratë korrekte tatimore. E ka Kryeministri këtë administratë?

Top Channel