Leskaj: Basha të mos marrë rolin e organeve të drejtësisë. Opozita, e papërgatitur

03/09/2015 21:05

Nënkryetarja e Parlamentit, Valentina Leskaj deklaroi se opozita ka hyrë në sesionin e ri parlamentar e papërgatitur. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, ajo u shpreh se Basha guxon të marrë edhe rolin e organeve të drejtësisë duke nxjerrë konkluzione.

Po ashtu, Leskaj duke folur për rëformën në drejtësi, është shprehur se mazhoranca është e hapur për një bashkëpunim me opozitën, por këtyre të fundit iu mungon vullneti për të bërë këtë reformë.

Në këtë intervistë, nënkryetarja e Parlamentit flet edhe për çështjen e dekriminalizimit si dhe për takimet që ka zhvilluar gjatë vizitës së saj në Nju Njork.

Intervista e plotë e Valentina Leskajt dhënë për “Zërin e Amerikës”

VOA: Para se të ndalemi tek Parlamenti siç e dëgjuam, sot kryetari i Parlamentit Ilir Meta është akuzuar në një artikull për korrupsion dhe kryetari i opozitës z. Basha kërkoi dorëheqjen e tij. Cili është reagimi juaj?

Valentina Leskaj: Sapo e ndoqa deklaratën e z. Basha dhe nga kjo kuptoj që, mesa duket, në sesionin e ri parlamentar opozita vjen përsëri e papërgatitur dhe po përpiqet që të gjejë një arsye për debat në parlament. Më vjen shumë keq për arsyen që ka gjetur, dhe për dobësinë e opozitës sepse natyrisht vendi ka nevojë për opozitë, aq më tepër në këtë moment kur ne jemi përgatitur për të diskutuar reforma shumë të rëndësishme si ajo në drejtësi. Në fakt mungesa e alternativës, mungesa e debatit, mungesa e vizionit, bën që edhe këtë sesion ta fillojmë me kërkesën për dorëheqjen të kryetarit të Parlamentit që nuk është hera e parë. Së dyti jam e çuditur që kryetari i opozitës merr edhe rolin e organeve të drejtësisë, me konkluzionet që nxori, që sapo ndoqa dhe në deklaratën e tij, që unë besoj që sidomos z. Basha është i fundit që mund ta bëjë edhe për arsye të rekordeve.

VOA: Znj. Leskaj, pikërisht për reformën në drejtësi. Kjo ishte një nga temat që doja të diskutoja, madje një nga pyetjet e mija kishte të bënte me faktin që sa e mundur është tani, a është ky një shans, diskutimi i reformës në drejtësi për të hapur një rrugë bashkëpunimi me opozitën duke pasur parasysh se do të ishte e vështirë që të bëheshin ndryshime kushtetuese për këtë temë në qoftë se nuk ka një bashkëpunim të tillë?

Valentina Leskaj: Së pari duhet të them që ne kemi qenë dhe mbetemi të hapur për bashkëpunim me opozitën. Madje edhe duke e vonuar procesin kohë më parë, duke e pritur opozitën, duke i bërë disa herë thirrje për t’u bashkuar, në fakt natyrisht që vullneti i opozitës është në dorë të opozitës. Po unë besoj që është në të mirën e vetë opozitës, natyrisht që është në të mirë të vendit, që opozita të bëhet pjesë e zgjidhjes dhe jo pjesë e problemit. Me deklaratat e fundit duket sikur po përpiqet ta pozicionojë veten si pjesë e problemit. Dua të shkojë pak më retrospektivë, që nuk është hera e parë që ne i kemi kërkuar kësaj opozite që dje ka qenë në mazhorancë, që të ulemi bashkë dhe të punojmë për reformën në drejtësi. Madje vite më parë u bë dhe një pakt për reformën në drejtësi, u ngrit edhe një nënkomision, ishin në mazhorancë, kishin shumicën e votave, kishin mundësinë ta bënin, në qoftë se do të kishin vullnet për reformën në drejtësi. Vonesa që po bëjnë tani, qëndrimet e mëparshme më bëjnë që të dyshoj për seriozitetin e opozitës për reformën në drejtësi. Por, natyrisht që ne jemi të vendosur për ta bërë reformën sepse është një nga reformat kyçe për vendin. Është një nga nevojat do të thosha emergjente për vendin, por natyrisht edhe një nga kërkesat thelbësore për partnerët tanë ndërkombëtarë.

VOA: Znj. Leskaj në fjalën tuaj në Neë York ju e vlerësuat Kuvendin e sotëm të Shqipërisë duke thënë se ky institucion e konsideron transparencën dhe mbikëqyrjen si thelbësore për një demokraci funksionale. Në fakt ka pasur debate të forta për përbërjen e dobët të këtij Kuvendi. Nuk është folur kurrë më parë më shumë se sot për praninë e elementëve me të shkuar kriminale. Si e shpjegoni ju një gjë të tillë?

Valentina Leskaj: Atëherë unë do të thosha që këto janë dy gjëra që nuk kanë shumë lidhje. Fakti që për Kuvendin ka pasur ankesa për element me precedent kriminal, gjë që natyrisht nuk mund ta përcaktoj unë, por e përcaktojnë institucionet që ngarkon ligji, nuk ka të bëj me faktin që ky parlament ka një qasje më të hapur, më përfshirëse, më transparente. Besoj që nuk kemi kohë në këtë emision për të numëruar të gjitha ato ndryshime që kanë ndodhur, por unë do të thosha që mjafton që të vlerësojmë hapësirat e opozitës në parlament, mundësitë që i janë dhënë, transparencën me median, krijimin e një infrastrukture të re në Parlament që mundëson transparencën, është rasti i parë që media dhe publiku kanë akses për t’i parë ligjet përpara se të miratohen në parlament, por edhe gjëra të tjera. Sa i takon çështjes së dekriminalizimit dua të them që natyrisht, personalisht, por ka qenë qëndrimi i qartë politik i forcës politike që unë përfaqësoj, që ne jemi shumë serioz përsa i përket çështjes së dekriminalizimit i cili duhet bërë. Politika duhet të jetë e pastër. Shqipëria dhe shqiptarët meritojnë politikanë të pastër të cilët janë aty për të përfaqësuar interesat e publikut, jo interesat e veta personale apo për të pastruar figurën e tyre. Kjo natyrisht është një sfidë. Është një sfidë e përbashkët. Në qoftë se ka vullnet politik, serioz edhe nga opozita, ne kemi mundësi që çështjen e dekriminalizimit mos ta lëmë në letër, por ta bëjmë realitet. Në qoftë se më pyet mua personalisht, unë jam që çështja e dekrinimalizimit duhet të shikohet shumë thellë. Do të thotë që ligjërisht ndofta mund të konsiderohesh i pafajshëm apo i pastër, por çështja e politikës është çështje morali në radhë të parë. Natyrisht është çështje ligjore, por është edhe çështje morali. Dhe nga kjo pikëpamje njerëz edhe pse mund të jenë liruar nga ligji, nuk mund të jenë në politik moralisht.

VOA: Znj. Leskaj doja vetëm të vazhdoja pak në ketë temë sepse në fakt lidhja ka të bëj me faktin se ato parti që kanë vendosur për personat që do të përfaqësojnë ata ose votuesit e tyre në Parlament, janë të njëjtët të cilët ju thoni që kanë bërë këto përpjekje për transparencë dhe për rritjen e demokracisë në Parlament. Si e shpjegoni ju një gjë të tillë? Këta elementë ndoshta nuk duhet të ishin futur fare që në fillim?

Valentina Leskaj: Një herë në radhë të parë dua t’i rikthehem komentit tuaj sepse ju e thatë që janë të njëjtit persona të cilët bëjnë dhe transparencën në Parlament, gjë që nuk e besoj që funksionon kështu sepse çështja e transparencës në Parlament një herë në radhë të parë ka të bëjë me sistemin. Ne sot kemi ngritur një sistem duke filluar nga Rregullorja e re e Parlamenti, por edhe me element të tjerë siç e thashë të sistemit, që të kemi mundësi për një qasje më të hapur, më transparente dhe me përfshirëse, dhe kjo është një realitet. Mjafton të shikosh edhe kohën që ndahet në Parlament mes mazhorancës dhe opozitës, madje do të thosha në qoftë se do të krahasonim liderët, marrin dyfishin ato të opozitës, por natyrisht nuk është vetëm koha, është shumë me gjerë dhe shumë më e madhe çështja e transparencës dhe përfshirjes. Mjafton që ne t’u referohemi rekordeve të bashkëpunimit me shoqërinë civile apo me aktorë të tjerë interesi, me aktorë që lidhen me çështjen e parlamentit. Në qoftë se do të marrim një shembull për reformën në drejtësi. Meqenëse është çështja kyçe që diskutohet sot, unë do të thosha që ngritja e një komisioni të nivelit të lartë të ekspertëve të cilët përfshijnë të gjitha fushat që prekin drejtësinë, besoj që është një tregues për një qëndrim të hapur, por nuk është kjo e vetmja. Përsa i përket elementëve që mund të jenë me precedent kriminal, që unë nuk jam personi që mund të përcaktoj se kush është apo jo, këtë duhet ta bëjë drejtësia natyrisht, nuk besoj që kanë ata në dorë fatet e parlamentit dhe të ardhmen e Shqipërisë.

VOA: Znj. Leskaj të ndalemi pak tek takimet që ju patët gjatë qëndrimit në Nju Jork. Mund të na flisni pak për temat që ju diskutuat?

Valentina Leskaj: Unë pata disa takime me përfaqësues të nivelit të lartë të Kombeve të Bashkuara, si me Drejtoren Rajonale të UNDP-së, apo me Drejtorin e Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullsinë, z. Lakonen. Patëm disa takime me kryetarë të parlamenteve të vendeve të rajonit apo edhe përtej rajonit. Dua të përmend drekën e punës që patëm me kryetarin e Parlamentit suedez që ishte një takim, do të thosha, shumë i vlefshëm. Takimin që patëm me kryetarin e Dhomës së Ulët të Parlamentit anglez, takimin që patëm me kryetarin e Parlamentit norvegjez, takimin që patëm me kryetarin e Parlamentit kroat, kryetarin e Parlamentit serb, me kryetarin e Parlamentit të Azerbajxhanit dhe disa takime të tjera. Dua të them, meqë kam parë edhe disa komente në shtyp, dua të them që të gjithë kanë pasur një qëndrim dhe një vlerësim shumë bashkëpunues me Parlamentin shqiptar. Kemi diskutuar për të ardhmen integruese të Shqipërisë. Kemi gjetur një mbështetje, do të thosha shumë të rëndësishme, sa i përket procesit të reformës, por edhe qëndrimeve lidhur me hapjen e negociatave për statusin e vendit kandidat.

Top Channel